DODA: PS E SHQIPËRISË ËSHTË KTHYER NË PARTI TË PUSHTETIT PERSONAL. Përçarja e mazhorancës në Shkodër pranohet edhe nga ish-kryetari i Partisë Socialiste të Shkodrës, Ndue Dodaj. I ndodhur në Amerikë, Dodaj ka folur për situatën aktuale duke dhënë disa mendime të tij që vërtetojnë që Partia Socialiste e Shkodrës, ashtu si edhe PD-ja ka një përçarje në mesin e saj.
Natyrisht që shkak janë bërë zgjedhjet lokale të 21 qershorit dhe se kush do të jetë kandidati mundshëm në garën për Bashkinë e Shkodrës. “Do të shihemi patjetër në zgjedhje” thotë Dodaj. Më tej kur dikush i thotë se e paske ndarë mendjen që të jesh në anën e të inatosurve të Partisë Socialiste, Dodaj përgjigjet duke thënë se “çfarë po shohim e çfarë po dëgjojmë, popujt po kuptojnë se idhujt e tyre po bëhen rreziku i tyre, po i ikën koha e partive me trashëgimi për të qeverisur me trashëgimi. Edhe këtu në Shqipëri mjaft vetëm me disa të zotë vetëm për të qeverisur të djeshëm e të sotëm” dhe shton se “nuk është çështje e të inatosurve por e pushtetit personal që është instaluar në Partinë Socialiste të Shqipërisë”. Pra ish kreu socialist i Shkodrës deklaron se PS-ja është kthyer në një parti e pushtetit personal. Madje sipas ish kryetarit të socialistëve, dy forcat kryesore politike të Shkodrës PS dhe PD kanë shkelur statutet e tyre. “E njëjta gjë si në PS është edhe në PD dhe partitë e tjera. Na propagandojnë shtet kur shkelin statutet e tyre. Kërkojnë tolerenca nga të tjerët kur vetë e shkelin atë”. Një tjetër koment në adresë të ish kreut të PS është se për herë të parë dikush nga e majta po shprehet publikisht për problemet e PS Shkodër dhe një lloj përçarjeje. Në përgjigje të atij komenti Dodaj shkruan: “pse po habitesh. Unë nuk jam në PS për të duartrokitur por për t’i thënë gjërat sikur janë, edhe të mirat edhe të këqijat pavarësisht se i pëlqejnë apo nuk i pëlqejnë dikujt brenda apo jashtë nesh”. Ish drejtuesi i PS-së së Shkodrës bën të ditur fare qartë se situata edhe brenda socialistëve nuk është aspak e mirë duke konfirmuar në një farë mënyrë edhe aludimet mediatike të ditëve të fundit për konfliktin që ka përfshirë edhe kampin tjetër politik përpara zgjedhjeve lokale të 21 qershorit.