Ish-ministri i Drejtësisë kërkon largimin e OSBE-së nga Shqipëria. I irrituar pas veprimit të ambasadorit të OSBE në Tiranë Bernd Borschardt, i cili iu ngriti gishtin e mesit protestuesve të Unazës së Re tek Policia e Tiranës, Manjani e cilëson parazite dhe pa asnjë vlerë prezencën e OSBE në vend.
Sipas tij, të gjithë pensionistët e ministrive të jashtme të shteteve anëtare shfaqen këtu për të shijuar ditët e fundit të karrierës. Ndërkohë ai përsërit thirrjen e protestuesve nga Borschardt “Shame on you”.
POSTIMI I MANJANIT
Meqë ra fjala, a di njeri të shpjegojë se me çfarë logjike, për më tepër me çfarë mandati rri këtu Prezenca e OSBE?!
Përveç se për të parazituar dhe për të fyer Shqiptarët, anëtarë të Këshillit të Europës, të NATOS e të vetë OSBE, çfarë misioni tjetër kanë ata këtu?!
Si ka mundësi që vijon rutina e përhershme e këtyre parazitëve me imunitet diplomatik, që vetëm prishin punë?! Të gjithë pensionistët e ministrive të jashtme të shteteve anëtare shfaqen këtu për të shijuar ditët e fundit të karrierës.
As siguri, as demokraci e madje as zgjedhje të lira e të ndershme nuk garantojnë dot. Dalin madje edhe kundër ODIHR që është pjesë e vetë ODBE!
Kulmi!
Shqipëria monitorohet mjaftueshmërisht nga çdo institucion ndërkombëtar e qeveri e interesuar. Prezenca e OSBE nuk afron asgjë as në këtë drejtim. Asgjë fare, fare!
Bën vetëm një përmbledhje të thashethemeve të gazetave çdo sabah dhe e shpërndan poshtë e lart pa asnjë përgjegjësi.
Shqipëria ka detyrime të përcaktuara si në institucione ku është anëtare, ashtu edhe para institucioneve ku dëshiron të anëtarësohet. OSBE nuk ka më asnjë rol për të luajtur.
Prandaj është momenti ta falënderojmë këtë prezencë, për prezencën e saj dhe ta ftojmë të mbledhë leckat e të shohë për ndonjë shtet tjetër në nevojë për ta.
Shqipëria, me gjithë problemet e thella demokratike, nuk ka nevojë për OSBE parazite.
Enough is enough!
P.s. Nuk mund të mos e përsëris revoltën time për atë fyerje të rëndë që bëri shefi pensionist i Prezencës së OSBE mbrëmë: Shame on You!