Për të zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor në rradhë të parë është e nevojshme sinjalistika rrugore por siç shihet edhe përmes pamjeve në këtë aks rrugor nuk ka asnjë të tillë. Edhe pse për mirëmbjatjen e rrugëve ka një fond të veçantë të parashikuar nga institucionet përgjegjëse, mungesa e seriozitetit në punë duket që nga cilësia e bojës së bardhë e cila fshihet me 2 ditë reshje shiu.
Në kushte të tilla, pavarësisht faktit se këmbësorët apo drejtuesit e mjeteve mund të kenë dëshirën për të zbatuar rregullat e sinjalistikës rrugore për të rritur sigurinë gjatë qarkullimit të tyre në kete aks, sërish kjo gjë nuk është e mundur sepse mungojnë vijat e bardha dhe vija që ndajnë koristë me njëra-tjetrën. Nisur nga kjo gjendje, janë të shpeshta rastet kur shoferë të automjeteve zgjedhin të lëvizin në këtë rrugë me shpejtësi të madhe. Një problem I tillë, shpesh herë është bërë edhe shkak për aksidente të cilat kanë patur pasoja në njerëz.
Pavarësisht faktit që një problematikë e tillë është trajtuar disa herë në media, përsëri nuk ka marrë zgjidhjen e duhur duke lënë të rrezikuar qindra qytetarë të cilët frekurentojnë këtë aks rrugor në lagjen Fermentim. Situata paraqitet alarmante edhe në një tjetër aspekt, ku pushues vendas dhe të huaj të cilët zgjedhin qytetin e Shkodrës për të kaluar pushimet përballen me probleme të tilla të infrastrukturës rrugore të cilat janë të pajustifikueshme.
Mirëmbajtja e këtij aksi rrugor nuk lidhet vetëm me vendosjen e sinjalistikës horizontale por edhe me pastrimin e vazhdueshëm të kontenierëve të mbeturinave të cilat janë kthyer në simbol identifikues në këtë zonë. Duke marrë parasysh numrin e madh të banorëve që jetojnë pranë kësaj zone, institucionet përgjegjëse duhet të angazhohen maksimalisht për përmirësimin e të gjitha kushteve duke ulur kështu rrezikun potencial për aksidentete, kryesisht gjatë stinës së verës ku edhe fluksi I automjeteve është më I madh.