Pas shumë orësh udhëtimi në këmbë, në zonë të vështirë, punonjësit e Policisë bëjnë të mundur gjetjen dhe transportimin disa orë me krahë dhe më pas me helikopter drejt Tiranës, të 2 turistëve gjermanë.
Më datë 04.08.2022, rreth orës 21:00, policia u njoftua se dy shtetas (turistë gjermanë), duke eksploruar zonën e quajtur “Curraj i Epërm”, për shkak të lodhjes dhe errësirës nuk mund të vazhdonin ecjen.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, me qëllim ofrimin e ndihmës turistëve, kanë ndërhyrë në këmbë për të kontrolluar zonën.
Pas disa orësh kërkimesh intensive në këmbë, në terrenin e thepisur, kanë bërë të mundur gjetjen e turistëve, në vendin e quajtur “Vashqefen”.
Punonjësit e Policisë fillimisht i nxorën 2 turistët nga terreni i rrezikshëm dhe më pas i kanë transportuar ata deri në vendin ku ishte e mundur ulja e helikopterit.
Më pas turistët, me ndihmën e helikopterit, janë transportuar në spitalin e Tiranës dhe aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.