Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Vora”, duke arrestuar dy të rinj që ishin kthyer në tmerrin e bizneseve e qytetarëve duke vjedhur kasaforta e sende me vlerë. Blutë kanë arritur të zbardhin e dokumentojnë 4 raste të vjedhjeve në banesa dhe biznese, të cilat dyshohen se janë kryer nga këta shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Vora”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: P. T., 24 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe L. Gj., 23 vjeç, të dy banues në Vorë.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të 4 rasteve të vjedhjeve në banesa dhe biznese. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 1 automjet, 2 pajisje DVR, 1700 euro dhe 2 aparate celular.

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale ”Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.

Artikulli paraprakEGNATIA DHE VLLAZNIA NDAJNË NGA NJË PIKË NË RROGOZHINË, SHKODRANËT VËNË NË DYSHIM OBJEKTIVAT
Artikulli tjetërLIRIDON LATIFI REAGON KEQ PAS ZËVENDËSIMIT, GODET ME SHKELM TERMUSIN, RREZIKON DËMTIMIN