Të paktën 33 subjekte të lidhur në tension 35 kilovolt dhe që kanë detyrimin për të gjetur energjinë në tregun e lirë kishin arritur të lidhnin kontratë me një furnizues të pavarur privat deri në fund të nëntorit. Mbi 50 subjekte të tjera ende furnizoheshin nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) pjesë e Operatorit te Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) por që sipas ligjit deri në 31 dhjetor 2019 edhe ata duhet të gjenin një furnizues tjetër.
OSHEE sipas hapësirës ligjore në datë 1 janar 2020 mund të bëjë ndërprerjen e energjisë dhe nxjerrjen nga sistemi i saj. Por një klauzolë shtesë që le vend për interpretim duket se ju jep edhe dy muaj të tjera këtyre operatorëve duke bërë që afati i ri për daljen e detyruar në treg të jetë 1 marsi 2020.
Burime pranë OSHEE bënë me dije se me shumë gjasa marsi do të jetë afati i ri duke u dhënë edhe një tjetër mundësi subjekteve që të lidhin kontrata me privatët. Numri i atyre që po qëndrojnë brenda FMF po vjen në ulje gradualisht çka tregon se ka një lloj ndërgjegjsimi.
Por pse mund të shtyhet afati për daljen në tregun e lirë? Fillimisht me ligjin original të vitit 2015 për sektorin e energjisë parashikohej që biznesit të lidhur në 35 kilovolt ti jepej mundësia e funizimit nga kompania publike me çmime tregu për të paktën dy muaj pra janar dhe shkurt. Kjo dalje në treg të lirë fillimisht u bë në vitin 2018 për 90 subjekte ku vetëm pak prej tyre gjetën furnizues dhe shumica mbeti e varur nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.
Duke parë vështirësitë qeveria amendoi ligjin duke e bërë afatin nga dy muaj, në dy vjet. Pra subjektet e lidhur në 35 kilovolt duhet të dalin në treg të lirë pas dy vitesh që përkon më fillimin e 2020. E ndërsa ndryshimet ligjore morën fuqi për mars 2018, plotësimi i afatit dy vjeçar mbetet marsi 2020.
Ecuria e procesit të liberalizimit ka qenë e komplikuar për operatorët publikë por edhe për vetë bizneset, të cilët në shumë raste nuk arrijnë të gjejnë furnizues privat për shkak të sasisë së kufizuar të energjisë që konsumojnë. Edhe pse ka me dhjetra furnizues të licencuar në shumë raste këta të fundit nuk shohin leverdi në kontrata me sasi të vogël ndërkohë që mekanizimi më i suksesshëm në rastet e liberalizimit të tregut ka qenë grupimi i kompanive kur ato kanë disa faktorë që i ndihmojnë ku pikë së pari vendndodhja.
Deri më sot biznesi që furnizohet nga FMF merr çdo muaj tarifa të ndryshme të energjisë sipas çmimit që vetë OSHEE e siguron energjinë në tregun e lirë. Tarifës bazë të energjisë i shtohen edhe disa element të tjerë si pjesa e operimit, kosto transmetimi si dhe një marzh fitimi.
Në muajt me situatë jo të favorshme hidrike biznesi është ekspozuar ndaj çmimeve të larta si 18.7 lekë/kwh gati dyfish i çmimit të konsumatorëve fundorë ndërkohë që çmimi më i lirë nuk ka qenë asnjëherë nën këtë dysheme edhe pse energjia mund të jetë siguruar më lirë. Kjo tarifë prej 9.5 lekë ka shërbyer si dysheme për të mos lejuar që biznesi të paguajë më lirë se konsumatori pasi kjo dekurajon daljen e tyre në treg të lirë për gjetjen e një furnizuesi privat.