Ilir Panda relator e Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe do të shqyrtojnë dosjen gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri e ish-kreut të policisë së Vlorës Jaeld Çela.
Kjo dosje ishte hedhur gabimisht në short së bashku me 42 çështje të tjera pasi në bazë të ndryshimeve të reja ligjore, e njëjta trupë gjykuese që ka vendosur në dhomë këshillimi kalimin e dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë duhet të vazhdojë edhe procesin gjyqësor.
Shorti kishte përcaktuar Sandër Simonin si kryesues të seancës. Por sipas një vendimi të gjykatës të datës 6 qershor është rregulluar gabimi si për dosjen Tahiri ashtu dhe për të tjerat.
NJOFTIMI I GJYKATËS SË LARTË MË 10 QERSHOR
Pas emërimit të 4 gjyqtarëve të rinj në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, bazuar në urdhrin e Kancelarit të kësaj Gjykate, të gjitha çështjet penale ende të pashqyrtuara (mbi 5200 çështje ), që kanë patur si relator gjyqtarin e Kolegjit Penal të emëruar në mars të vitit 2020, janë rishortuar me qëllim shpërndarjen e tyre, në mënyrë të barabartë ndërmjet të gjithë gjyqtarëve të këtij Kolegji.
Për shkak të veçorive të natyrës teknike që paraqet përdorimi i sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve, në procesin e rishortimit rezulton të jenë përfshirë gabimisht 43 çështje penale, për të cilat trupi gjykuesi mëparshëm, në dhomë këshillimi, ka vendosur kalimin në seancë gjyqësore ose mospranimin e rekursit, vendime të cilat nuk ishin pasqyruar ende në sistem.
Me qëllim garantimin e parimit të gjykatës së caktuar me ligj, për të gjitha palët pjesëmarrëse në gjykim në Gjykatën e Lartë dhe në respekt të qëndrimit të mbajtur nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve, si edhe praktika e kësaj gjykate, për të vijuar shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore nga i njëjti trup gjykues që e ka shqyrtuar paraprakisht në dhomë këshillimi,
është urdhëruar nga Kancelari i Gjykatës së Lartë anulimi pjesërisht i shortit për çështjet penale të sipërcituara. Gjithashtu, janë pasqyruar menjëherë në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve vendimet që janë marrë në dhomë këshillimi për çështjet penale, si edhe relatori i çështjes konkrete.