Terroristët e ISIS-it i kanë shkaktuar ditën më të përgjakshme ushtrisë turke në Siri, ditën e Mërkurë, kur vranë 14 ushtarë dhe plagosën 33 të tjerë, shumica e të cilëve në gjendje të rëndë.

Ushtarët turq ndodhen në tokën siriane që prej 26 Gushtit 2016 në kuadër të operacionit “Mburoja e Eufratit”, i cili sipas zyrtarëve turq synon të pastrojë kufirin turko-sirian nga grupet terroriste kurde dhe të Shtetit Islamik. Lajmet janë konfirmuar edhe nga ushtria turke, e cila në websajtin e saj thotë se në luftime janë vrarë edhe 138 terroristë të Shtetit Islamik. Sipas të dhënave të ushtrisë turke, që prej fillimit të operacionit “Mburoja e Eufratit”, në Siri janë vrarë 35 ushtarët turq dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë. Beteja për Al Babin Teksa vëmendja ndërkombëtare ndodhet në Aleppo, ku gjatë javëve të fundit ushtria ruse dhe forcat e Assadit kanë rrethuar dhe bombarduar zonat e kontrolluara nga kryengritësit, një betejë po aq e ashpër zhvillohet 40 km në verilindje të Alepos, në Al Bab. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin shqiptar Bujar Nishani mbrëmjen e së mërkurës në Ankara, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se Al Babi, një qytet i provincës së Alepos, është rrethuar nga ushtria turke dhe Ushtria e Lirë Siriane. Erdogan tha se terroristët e ISIS-it janë në grahmat e fundit në këtë qytet dhe po provojnë të gjitha mënyrat për të dëmtuar ushtrinë turke, duke përfshirë edhe sulmet vetëvrasëse.

Artikulli paraprakDOM ERNEST TROSHANI APEL POLITIKANËVE SHQIPTARË
Artikulli tjetërOPSIONI I RI I WHATSAPP QË TË GJITHË PRISNIN