Shteti Islamik mori të hënën (2 janar 2017) përgjegjësinë për sulmin në klubin e natës në Stamboll gjatë festimit të ndërrimit të viteve që u mori jetën 39 personave.
Hurriyet dhe gazeta Karar kanë cituar zyrtarë të paidentifikuar të sigurisë duke thënë se autoritetet kanë përcaktuar se personi i armatosur që vrau 39 njerëz vjen nga një vend i Azisë Qendrore dhe besohet të jetë nga Uzbekistani ose Kirgistani. Shtetasit e huaj që humbën jetën në sulmin e armatosur llogariten të jenë 24, apo gati dy të tretat e viktimave të sulmit, njofton agjencia shtetërore e lajmeve të Turqisë. Shumë prej tyre ishin nga Lindja e Mesme, duke përfshirë Jordanin, Libanin dhe Arabinë Saudite, edhe pse vende nga India deri në Belgjikë njoftuan se qytetarë të tyre janë në mesin e viktimave. Në sulm u vra dhe 18-vjeçarja izraelite Leanne Nasser nga Tira. Policia turke thuhet se ka gjetur ngjashmëri me sulmin e qershorit 2016 në aeroportin Ataturk dhe është duke hetuar nëse i njëjti person mund të ketë kryer dy sulmet. Mediat turke raportojnë se agresori që vrau 39 personat në klubin Reina ka shkrehur rreth 180 plumba. Sulmuesi i paidentifikuar mbërriti me taksi përpara se të nxitonte përmes hyrjes të klubit me një armë me tytë të gjatë që ai e kishte marrë nga bagazhi i automjetit.