Një sulm terrorist ka tronditur sërish Parisin. Një polic u vra dhe dy të tjerë u plagosën nga një person i armatosur i cili u qëllua për vdekje.

Sipas medieve, mësohet se sulmuesi i ka qëlluar qëllimisht oficerët dhe ishte i njohur nga shërbimet e sigurisë. Sulmin e ka marrë përsipër grupi militant Shteti i vetëshpallur Islamik, nga ku thanë se një prej “luftëtarëve” të tij ka kryer sulmin, raporton “Reuters”. “Ekzekutuesi i sulmit në zonën Champs-Elysees, në qendër të Parisit, është Abu Jusuf al-Beljiki dhe ai është një luftëtar i Shtetit Islamik”, tha agjencia e lajmeve Amaq, e lidhur me grupin ekstremist. Prokurori i Parisit, Francois Molins, më vonë tha se identiteti i sulmuesit është i njohur dhe është verifikuar.

“Nuk do ta zbuloj atë, sepse hetimet dhe bastisjet tashmë janë duke u zhvilluar”, tha Molins. Personi i armatosur që hapi zjarr ndaj policëve në Paris, përdori një “armë lufte” për të kryer sulmin e tij, tha një zëdhënës i qeverisë franceze. Ngjarja Sulmi ndodhi jashtë një dyqani në Champs-Elysees, një nga rrugët kryesore tregtare të kryeqytetit francez dhe një zonë e mbushur me turistë, raporton “Skynews”. Zëdhënësja e policisë së Parisit, Johanna Primevert tha se sulmuesi kishte në shënjestër policinë që ruante zonën pranë stacionit të metrosë Franklin Roosevelt të enjten mbrëma. Një dëshmitar i identifikuar thjesht si Ines, i tha stacionit televiziv francez “BFM” se dëgjoi të shtëna, pa trupin e një njeriu të shtrirë në tokë dhe zonën që u evakuua shpejt nga policia.

Një dëshmitar tjetër i tha medias lokale: “Papritmas të gjithë u ngritën dhe filluan të vrapojnë, nuk kishim as kohë për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Dëgjuam një apo dy të shtëna, vrapuam. Me të vërtetë nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte, ne u zhvendosëm në rrugë, policia na tha të lëvizim të largoheshim. Nuk e kam parë nëse ata ishin dy, tre ose vetëm një sulmues. Ne thjesht vrapuam.

Dëgjuam dy të shtëna me armë. Të gjithë njerëzit që ishin ulur në tarracë u ngritën dhe vraponin, karriget po rrëzoheshin” tha ai. Personi i armatosur që kreu sulm të dyshuar terrorist në Paris hapi zjarr me një armë Kalashnikov, tha një tjetër = dëshmitar. Franca ka pasur gjendje të jashtëzakonshme që nga viti 2015 dhe ka pësuar një valë sulmesh terroriste që kanë vrarë më shumë se 230 vetë gjatë dy viteve të fundit.

Artikulli paraprakGABIMET NË SUPERIORE, FSHF PEZULLON ZYRTARISHT DY ARBITRA
Artikulli tjetërDASH: TË GJITHA PARTITË NË ZGJEDHJE