Terroristët e ISIS kanë kryer një tjetër masakër në Siri, ndërsa informacionet nuk janë shumë të qarta.
Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër thotë se terroristët kanë rrëmbyer 400 persona në pjesën veriore të qytetit, Deir al-Zor përfshirë gra dhe fëmijë, pas sulmit. Observatori ngre alarmin se shumë prej tyre mund të jenë ekzekutuar me prerje koke pasi janë shpallur si mbështetës të regjimit të presidentit sirian Bashar Al Assad. Rami Abdulrahman, përfaqësues i Observatorit, ka thënë se gjithashtu gratë dhe fëmijët mund të kthehen në skllevër të terroristëve. Ndërkohë agjencia shtetërore e lajmeve të Sirisë, SANA, ka raportuar se të paktën 300 vetë janë vrarë nga sulmet e militantëve të Shtetit Islamik në Deir al-Zor. Sipas këtyre informacioneve shumica e të vrarëve nga sulmet e djeshme ishin njerëz të moshuar, gra dhe fëmijë.