Shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka pranuar urdhrin ‘Hasan Prishtina’ në Kosovë, ku i është dorëzuar nga vetë presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka publikuar fotografi nga ceremonia dhe pjesë nga fjala e Kadaresë, i cili e cilësoi nderim të madh dhe i vuri theksin faktit që janë bërë bashkë shqiptarë të të gjithë zonave të Ballkanit. Vjosa Osmani e nisi shënimin e saj në Facebook, duke cituar fjalët mbresëlënëse të Kadaresë në ceremoni: “Mbledhja jonë në këtë sallë nga shqiptarë të të gjitha zonave të Ballkanit tregon këtë triumf të gjatë shekullor të kombit shqiptar. Nga një triumf i tillë asnjë komb nuk heqë dorë. Ky është një triumf për veten e vetë, për lirinë e vetë, për gëzimin e vetë, për të ardhmen e vetë. Me një fjalë është një triumf për atë që quhet qytetërim njerëzor universal i kësaj bote ku jetojmë.”

“Çdo shqiptar do ta ëndërronte një gjë të tillë, është një fat i rrallë që një popull të të nderojë, sidomos kur ky popull e ka rrugën e historisë të vështirë. Për fat të keq, Shqipëria ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmbë nga forca të tjera të huaja, por për fat të mirë ajo gjithashtu i ka kapërcyer gjatë shekujve me mënyra të ndryshme”, u shpreh Kadare.

Presidentja më pas tregoi se me këto fjalë, “shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, pranoi sot Urdhrin ‘Hasan Prishtina’, të cilin pata nderin t’ia ndajë në emër të popullit të Kosovës. Ky Urdhër i është ndarë për mjeshtërinë e jashtëzakonshme në artin e fjalës, shprehur gjithandej veprave të tij, për përkushtimin me të cilin e ka mbrojtur të drejtën e Kosovës, si dhe për vlerat letrare e intelektuale me të cilat është paraqitur nëpër botë dhe me të cilat e ka lartësuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar.”

Kadare po qëndron në Prishtinë si mysafir në Panairin e librit “Prishtina 2023” dhe vizitoi edhe librarinë, që ka të gjithë librat e autorit, duke përfshirë edhe botimin e ri të tërë veprës së tij të botuar nga “Onufri’’. Ndërsa në një intervistë për RTV Dukagjini, Kadare tha se shqiptarët jetojnë me idenë se janë pjesë e Europës dhe sipas tij kjo është gjë e mirë.

“Kosova është në shpirtin e saj, fitimtare, e gëzuar. Cdo shqiptar duhet të gëzojë se një nga vendet më të vjetra europiane është Shqipëria. Shqiptarët jetojnë me idenë se janë pjesë e Europës dhe kjo është gjë e mirë. Kur një gjë është e pranishme në brendësinë e një kombi kërkon edhe mjetet për t’u shfaqur jashtë”, tha Kadare.

Artikulli paraprakRAMA DRAFT PËR ASOCIACIONIN, REAGON META
Artikulli tjetërPAS MË SHUMË SE 5 ORËSH SEANCË GJKKO MERR VENDIMIN, VANGJUSH DAKO LIHET NË BURG