Një aksident i rëndë rrugor është shënuar mbrëmjen e së premtes në autostradën mes Torinos dhe Milanos në Itali, ku një kamion transporti është përplasur me një automjet, me të cilin udhëtonin një familje me origjinë marokene.

Nga përplasja e ndodhur në dalje të kthesës “Rondissone”, me drejtim Milanon, kanë mbetur të vdekur një çift të martuarish të moshave 50 dhe 40 vjeç respektivisht burri dhe gruaja, ndërsa janë plagosur 3 fëmijët e tyre. Bëhet fjalë për një 3-vjeçar, një 5-vjeçar dhe një të porsalindur. Të miturit janë transportuar menjëherë për në spitalin “Regina Margherita” në gjendje të rëndë. Dinamika e saktë e aksidentit mbetet ende për t’u hetuar nga policia rrugore, por deri më tani mësohet se kamioni është përplasur me dy automjete, e më pas ka vijuar rrugën pa njoftuar ndihmën e shpejtë. Policia i është vënë pas dhe e ka ndaluar në “Villarboit”. Drejtuesi i mjetit të transportit, një shtetas sllovak, kishte shkaktuar një tjetër aksident pak minuta më herët. Ndërsa përpara agjentëve të policisë që e ndaluan është shfaqur konfuz, ndaj dhe priten testimet për të kuptuar nëse kishte përdorur alkool apo lëndë narkotike. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, përplasja mes kamionit dhe autoveturës së viktimave ka qenë tepër e fortë, saqë mjeti i vogël është zhvendosur 150 metra nga vendi dhe më pas është përplasur me një tjetër automjet të parkuar buzë rruge.

Artikulli paraprakMOTI PËR SOT, TEMPERATURAT NUK NDRYSHOJNË
Artikulli tjetërSIRI, MBI 90 CIVILË TË VRARË NGA BOMBARDIMET RUSO-SIRIANE