Itali, Meta takon Mattarrella-n: Vettingu kusht për hyrjen në BE

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka nisur ditën e sotme një vizitë zyrtare dy ditore në Itali, e cila është vizita e parë zyrtare e tij si president i Republikës së Shqipërisë. Meta u prit nga homologu i tij italian Sergio Mattarella në në Sheshin e Nderit të Pallatit Quirinale, ku dhe zhvilluan bisedimet zyrtare nw praninw e Ministrit tw Jashtëm tw Italisë, Angelino Alfano. Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e gjithanshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë e shqiptarëve në 25 vitet e fundit dhe vlerësoi në mënyrë të veçantë mikpritjen e demonstruar nga Italia dhe italianët për shqiptarët, si më shumë se pesë shekuj më parë, ashtu edhe në fillim të viteve ’90. Dy homologët kanë vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve e dy popujve dhe shprehën mendimin se këto marrëdhënie duhet të të zgjerohen edhe më tej, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Në këtë drejtim u theksua edhe interesi për një prezencë më të madhe të kompanive italiane, veçanërisht në sektorët strategjikë. Të dy presidentët ndanë mendimin se zbatimi në kohë dhe me sukses i reformës në drejtësi do të ndikojë në luftën efikase ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe do të afrojë më shpejt shqipërinë me BE-në. Gjatë bisedimeve presidenti Meta i kushtoi rëndësi të veçantë çështjes për arritjen e marrëveshjes me autoritetet italiane në fushën e sigurimeve shoqërore për shqiptarët që jetojnë në Itali, si dhe afirmimit të vlerave dhe kontributeve të tyre në rritje në jetën ekonomike, shoqërore e politike italiane. Gjithashtu një pikë tjetër në bisedime mes dy presidentëve ishte edhe komuniteti Arbëresh në Itali, të cilët konsiderohen si vlerë dhe themel mbi të cilin ngrihen marrëdhëniet historike, njerëzore, politike mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe ranë dakord për mbështetjen, promovimin dhe ruajtjen e vlerave historike e kulturore të tij, si përmes iniciativave të përbashkëta ndërshtetërore, ashtu edhe për përshirjen në listën e trashëgimisë evropiane dhe asaj botërore të UNESCO-s. Në këtë kuadër të dy Presidentët vendosën të zhvillojnë së afërmi një vizitë të përbashkët në një nga zonat e komunitetit arbëresh. Një pikë tjetër e bisedimeve ishte edhe bashkëpunimi për çështjet e sigurisë dhe rendit, ku u theksua nevoja për rritjen e kordinimit dhe bashkëveprimit mes institucioneve ligj-zbatuese të dy vendeve, me qëllim luftën ndaj krimit të organizuar, terrorizmit, trafikut të paligjshëm dhe në veçanti kordinimin në luftën ndaj trafikut të narkotikëve si rrezik jo vetëm për Shqipërinë e Italinë por edhe për Evropën. Vend të veçantë në bisedimet zyrtare zunë edhe roli konstruktiv i Shqipërisë, bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë e të mirëkuptimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe angazhimi i Italisë për paqen, stabilitetin dhe integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Europian. Presidenti Mattarella i ka siguruar presidentit Meta mbështetje për Shqipërinë, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në atë të integrimit në BE, duke theksuar se Shqipëria është shumë e rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit dhe përcaktuese me rolin konstruktiv që ajo luan. Në përfundim të bisedimeve, presidenti Meta e ftoi homologun e tij, për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga presidenti Mattarella.

Artikulli paraprakDETI 7-8 BALLË PEZULLON LINJËN E BRINDISIT, S’DALIN AS ANIJET E PESHKIMIT
Artikulli tjetërTRE ANËTARE TË APELIT DORËHIQEN NGA GJYKIMI I ISH-DEPUTETIT MARK FRROKU