Vetëm pak ditë pas lëkundjeve të forta të 26 tetorit, toka u trondit sërish në zonën qendrorë të Italisë.
Këtë herë, tërmeti me magnitudë 6.5, me epiqendër në Umbria, po në qendër të Italisë, është regjistruar në thellësinë 10 km dhe u ndie nga Jugu në Veri të vendit, madje deri në Austri. Tani për tani nuk ka lajme për viktima, raportohet vetëm për 10 të plagosur, prej të cilëve njëri në gjendje të rëndë. Dëmet materiale janë të mëdha, kryesisht në zonat e goditura disa herë nga tërmetet e fundit. Në Norcia është rrëzuar katedralja, ndërsa në qytezën fqinje San Benedetto, bazilika qendrore. Janë shënuar gjithashtu probleme në qarkullim për shkak të shkëmbinjve që kanë zënë rruget, ndërsa disa linja hekurudhore të zonave qendrore janë mbyllur për kontrolle. Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile i bëri thirrje popullatës që të evitojë me sa të mundet spostimet. Në kryeqytet, ku lëkundjet u ndienë shumë, janë mbyllur bazilikat qendrore, pallati presidencial dhe për disa orë stacionet e metropolitanës. Tërmeti i mëngjesit të sotëm ishte edhe më i forti që godet Italinë muajt e fundit, që prej 24 gushtit kur mbetën të shkatërruara Amatrice dhe Accumuli, si dhe humbën jetën thuajse 300 vetë.