Nuk ka paqe për zonën qendrore të Italisë pas tërmetit të ditës së martë.
Në orët e fundit janë regjistruar mbi 40 lëkundje, më e forta prej të cilave u verifikua sërish në Amatriçe, epiqendra e tronditjes fatale të tre ditëve më parë. Ndërkohë, bilanci viktimave është rënduar në 278 persona të vdekur, disa qindra të shtruar në spitale dhe shumë të tjerë që figurojnë ende të zhdukur. Mediat italiane kanë publikuar edhe idenditetet e para te viktimave, mes të cilave është bashkangjitur edhe fotografia e Erion Toros, djalit nga Shqipëria. Puna e ekipeve të shpëtimit vijon me intensitet, por shpresat për të gjetur të mbijetuar janë të pakta. Deri tani rreth 215 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat. Kreu i Departamentit të Zjarrfikësve tha se, edhe pse probabiliteti për të mbijetuar është tepër i ulët, operacionet e kërkimit do të vazhdojnë. Identifikimi i personave të zhdukur është tepër i vështirë pasi shumica ishin turistë. Kryeministri Matteo Renzi ka premtuar se do ta rindërtojë zonën e shkatërruar. Nga ana tjetër, nuk kanë munguar polemikat mbi përse vendi ishte kaq i papergatitur për një fatkeqësi të tillë, kur dihet që zemra e Italisë është një nga zonat më sizmike të Europës.