Italia, me mision humanitar në Libi. 100 mjekë e infermierë, si dhe 200 ushtarë .

Italia pritet të ngrejë një spital dhe të dërgojë 300 mjekë, infermierë dhe ushtarë në Libi, me kërkesë të qeverisë së njohur nga Kombet e Bashkuara të Tripolit. Lajmi është bërë i ditur këtë të hënë nga burime qeveritare italiane. Spitali do të ngrihet pranë Aeroportit “Misrata” dhe do të ketë një staf prej 100 mjekësh e infermierësh, ndërsa do të ruhet nga 200 ushtarë. “Ai do të jetë vendi më i sigurtë, edhe pse jo shumë larg zonës së luftës”, tha burimi qeveritar. Forcat libiane besnike të qeverisë së mbështetur nga OKB-ja janë duke luftuar prej muajsh militantët e Shtetit Islamik për t’i zmbrapsur ata nga ish-bastioni i tyre i Sirtës, por tashmë janë përballur me një rezistencë edhe më të ashpër, ndërkohë që kanë pësuar edhe viktima në radhët e tyre. Italia deri më tani ka ndihmuar dhjetëra luftëtarë libianë, duke i transportuar ata drejt Romës për trajtim mjekësor, por spitali që pritet të ngrihet në Libi pritet të jetë një kanal ndihme më i shpejtë dhe më efiçent, deklaroi zyrtari që preferoi të mbetej anonim. Mbi këtë zhvillim nuk jepen detaje të mëtejshme, si për shembull periudha e saktë se kur do të dislokohen ushtarët dhe mjekët. Edhe pse Franca, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Italia dihet se kanë njësi speciale ushtarake në Libi, kjo do të shënojë të parën vendosje të hapur të trupave ushtarakë nga një vend perëndimor, këtë herë me mision humanitar. Ministrja italiane e Mbrojtjes, Roberta Pinotti, si dhe ministri i Jashtëm, Paolo Gentiloni, mund të japin të tjera detaje kur të flasin përpara Parlamentit ditën e martë në lidhje me “situatën në Libi”. Italia ka lidhje historike me Libinë, vend të cilin e ka pasur koloni gjatë gjysmës së parë të shekullit të XX. Libia shtrihet në pjesën veriore të kontinentit të Afrikës, drejtpërdrejt nën Itali, e largësia mes dy vendeve është jo më shumë se 310 milje (500 km) nga brigjet siçiliane. Në ditët e sotme, për shkak të kaosit të luftës civile, trafikantët e qenieve njerëzore operojnë në Libi thuajse në pandëshkueshmëri të plotë. Ata kanë ndihmuar në dërgimin e mbi 400 mijë emigrantëve përmes varkave të papërshtatshme për lundrim drejt Italisë, që prej fillimit të vitit 2014.

Artikulli paraprakTRUMP:UROJ QE CLINTON TE SHEROHET E TE TAKOHEMI NE DEBATIN E ARDHSHEM
Artikulli tjetërLINDITA NIKOLLA URON NXENESIT PER NISJEN E VITIT TE RI SHKOLLOR