Sot në Itali po zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Rreth 46 milionë italianë janë thirrur për të votuar legjislaturën e re të Parlamentit. Për herë të parë votohet me ligjin e ri elektoral i miratuar vetëm pak kohë më parë dhe i bazuar në një sistem elektoral të përzier mazhoritar e proporcional.
Legjislatura e re e Parlamentit Italian do ketë 618 deputetë, 309 senatorë e 18 parlamentarë të zgjedhur nga diaspora italiane.
Forcat politike janë përqendruar në tre fronte kryesore; koalicioni i majtë i udhëhequr nga Partia Demokratike e ish kryeministrit Matteo Renzi, koalicioni i djathtë nën drejtimin e Partisë Forza Italia e Silvio Berlusconit dhe Lëvizja 5 Yje e drejtuar nga lideri i saj Luigi Di Maio.
Fushata zgjedhore u karakterizua nga tone të ashpra debatesh politike por dhe episode dhune mes militantëve të ekstremizmit të majtë e të djathtë italianë. Në mjaft qytetet të vendit manifestimet elektorale u shndërruan në përleshje me forcat e rendit por dhe me thirrje raciste apo antifashiste.
Pak ditë pas nisjes së kësaj fushate një i ri italian për motive raciste qëlloi me armë zjarri kundër emigrantëve me ngjyrë në qytetin e Maceratës duke plagosur 4 prej tyre.
Kriza e emigracionit e fluksi i madh i emigrantëve klandestinë që cdo ditë zbarkojnë në brigjet italiane, sistemi fiskal, situata ekonomike, papunësia e problematikat sociale qënë temat kryesore të premtimeve elektorale.
Pi cila është pritshmëria politike e këtyre zgjedhjeve? Cfarë thonë sondazhet?
Kushtetuta italiane ndalon publikimin e sondazheve elektorale 15 ditë para votës dhe rezultate e sondazheve të dy javëve më parë regjistronin një prioritet të koalicionit të djathë italiane në duel politik me Lëvizjen 5 Yje, ndërsa Partia Demokratike shënonte ulje.
Zgjedhjet politike në Itali kanë shqetësimin dhe vëmendjen e Brukselit pasi ligji i ri elektoral parashikon fitues atë forcë politike që merr të paktën 40 % të votës së italianëve, në rast të kundërt qeveria do të krijohet vetëm nga një koalicion i gjerë politik.
Por forcat kryesore politike si të së majtës ashtu dhe të së djathtë janë shprehur kundër një koalicioni të tillë duke shfaqur rrezikun e krijimit të një qeverie teknike deri në zgjedhjet e reja.
E një skenar i tillë politik do të thotë një mungesë stabiliteti në vend me rrjedhë negative në tregun ekonomik. Vota e të pavendosurve apo pjesëmarrja në votime sipas analistëve do të jetë përcaktuese në këto zgjedhje.
Të gjitha forcat politike bëjnë thirrje për të votuar e evituar mospjesëmarrjen. Në zgjedhjet vendore të 2017 pjesëmarrja në votime ishte në kuotën e mbi 60 %.
Në Itali jetojnë dhe gati gjysmë milioni shqiptarë. Rreth 200 mijë prej tyre kanë marrë nënshtetësinë italiane e përllogaritet se nga 100-150 mijë emigrantë shqiptarë kanë të drejtën e votës.