Thuajse 1 javë pas zgjedhjeve të përgjithshme, Italia mbetet e mbërthyer në një ngërç politik, pasi asnjë nga koalicionet apo partitë nuk arritën të merrnin shumicën qeverisëse.
Zgjedhjet e 4 Marsit nxorën fitues koalicioni e qendrës së djathtë dhe Lëvizjen 5 Yjet, si partinë më të votuar. Prej ditësh, të dyja këto forca politike kanë nisur përpjekjet për të marrë mandatin qeverisës nga presidenti Sergio Mattarella.
Lideri i Lëvizjes 5 Yjet, Luigi Di Maio kërkoi sërish që partia e tij, duke qenë forca politike më e votuar të qeverisë vendin. Një qeveri pa ne, do të ishte një goditje dhe një fyerje për demokracinë, tha Di Maio.
Por mandatin qeverisës e pretendon edhe Matteo Salvini i Lega Nord, partia e parë në koalicionin fitues të qendrës së djathtë.
Në pritje të nisjes së negociatave me presidentin Mattarella, të dy liderët kanë nisur të shpalosin planet e tyre ekonomike, për të fituar mbështetjen më të gjerë. Thelbi i premtimeve është i njëjtë, sfida ndaj Bashkimit Europian për uljen e taksave.