Pak kush mund ta dinte që deri më sot Italia nuk kishte një himn zyrtar. “Fratelli d’Italia”, apo siç njihet gjerësisht “Himni i Mamelit”, u aprovua këtë të mërkurë nga Senati italian, me titullin zyrtar “kënga e italianëve”.
Iu deshën plot 71 vjet himnit italian të shkruhej në kushtetutën e Italisë. Ndonëse këndohej në çdo manifestim zyrtar e ushtarak, në shkolla apo përpara aktiviteteve sportive, pjesa muzikore e shkruar nga Goffredo Mameli dhe kompozuar nga Michele Novaro, zyrtarisht njihej si himn i përkohshëm. Mediat italiane ironizojnë duke e quajtur groteske, historinë e zvarritjes së procedurave për zyrtarizimin e himnit.
“Fratelli d’Italia” u zgjodh në vitin 1946 si himn i përkohshëm, që prej asaj kohe ishte lënë në harresë edhe pse për të gjithë italianët konsiderohet si pjesa muzikore që përfaqëson kombin.