Kreu i Antimafies italiane: Kemi kërkuar hetime në Shqipëri, trafiku i drogës është rritur ndjeshëm
“Eshtë një fenomen shqetësues”. Me këto fjalë prokurori italian i Antimafies dhe antiterrorizmit, Franco Roberti, iu përgjigj nga Fasano (Brindisi, Puglia) një pyetjeje të gazetarëve mbi rritjen e trafikut të drogës nga Shqipëria në Puglia. “Shkuam së fundmi, së bashku me prokurorët e Barit, Lecce-s dhe Catanzaro-s për të bashkëpunuar me kolegët shqiptarë në Tiranë, pikërisht për të nxitur një bashkëpunim më të ngushtë dhe duke kërkuar hetime në atë territor, sepse në fakt kemi parë që trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Puglia-s dhe Kalabrisë është rritur ndjeshëm”, citohet ai nga mediat italiane. “Flasim për tonelata dhe pikërisht disa ditë para se të shkonim në Tiranë, është sekuestruar një ton drogë në territorin puliez. Takimi është aktualizuar nga kjo çështje, nga ky zbulim, por prej kohësh kemi verifikuar se trafiqet janë rritur ndjeshëm”, tha Roberti, teksa ishte prezent në një event për prezantimin e një libri të ri lidhur me terrorizmin.