Makina e tij ishte përmbysur dhe kishte rënë në një kanal uji 2.5 metra të thellë, por fatmirësisht aty ndodheshin 4 shqiptarë që i erdhën në ndihmë. Më 8 Dhjetor, 67-vjeçari italian Loreno Casini udhëtonte me makinë në Via di Chiazzano dhe për shkak të motit të keq humbi kontrollin e mjetit duke u përplasur me barrierat anësore të rrugës. Këto të fundit u përkulën dhe automjeti ra brenda kanalit. “U përpoqa të hapja derën, por ajo ishte bllokuar”, tregon i moshuari për mediat italiane.
Në atë moment, aty pranë kalon një makinë me të cilën udhëtonin 4 shqiptarë. Ata dëgjuan britmat e 67-vjeçarit që ishte bllokuar brenda makinës “Fiat Punto”. “Ata më thanë të hapja derën, por nuk mund të bëja më shumë se aq. Njëri prej tyre bërtiti ‘shkojmë ta shpëtojmë’. Njëri hapi derën e makinës, ndërkohë dikush tjetër më hodhi rripin dhe më tha që ta kapja. Ndërsa dy personat e tjerë mbanin barrierën anësore të rrugës që kishte rënë”, thotë Loreno Casini. Shqiptarët e tërhoqën atë me litar dhe me sukses e nxorrën nga makina. 67-vjeçari kishte thyer një brinjë, por nuk kishte asgjë tjetër serioze. “Nuk kuptova asgjë në atë moment.
Nuk e di as nëse i falenderova. Zjarrfikësit u kthyen mëngjesin e së nesërmes për të nxjerrë makinën nga kanali. Ishte shkatërruar, por kjo nuk ka rëndësi”, shprehet italiani. Emrat e 4 shqiptarëve heronj nuk i ka treguar, por thotë se gjithçka do të kishte përfunduar në tragjedi po të mos ishte për ta. Ditën kur ndodhi aksidenti i rëndë, 67-vjeçari festonte ditëlindjen e tij. Bashkëshortja e Lorenos, zonja Giovanna i konsideron 4 shqiptarët “engjëj të zbritur nga qielli”.