Italiani vjen në Shqipëri dhe keqtrajton vjehrrin në banesë

Një shtetas italian rrezikon të dënohet nga gjykata e Tiranës, pasi ka keqtrajtuar vjehrin e tij brenda në banesë. Luigi Semeraro prej 8 vjet që është martuar me një shtetase shqiptare. Por pasi kanë qëndruar disa vite në Itali, janë rikthyer në Shqipëri. Pikërisht këtu shtetasi italian ka mbetur pa punë, dhe ka filluar të konsumojë pije alkoolike dhe të shfaqë shenja dhune në ambjentet e familjes. Kjo rrjedhojë edhe e papunësisë dhe vështirësive ekonomike. Luigi Semeraro rrezikon dënimin Në datën 18 shkurt 2017 Admira Ramçaj (Semeraro) ka qenë në banesën e babait të saj, shtetasit të dëmtuar Sadri Ramçaj. Rreth orës 20:30 te shtëpia e të dëmtuarit ka shkuar i pandehuri Luigi Semeraro. I ka rënë derës dhe derën e ka hapur vjehrri i tij, shtetasi i dëmtuar Sadri Ramçaj. I pandehuri sapo ka hyrë brenda, i është vërsulur bashkëshortes së tij. I dëmtuari Sadri Ramçaj dhe vajza tjetër i kanë dalë përpara për ta penguar,por i pandehuri ka hapur sirtarin e bufesë, ku ka marrë një filxhan çaji dhe me të ka goditur në kokë kunatën. Pas kësaj ka goditur vjehrrin Sadri Ramçaj me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit. Kanë ndërhyrë pjesëtarët e tjerë të familjes dhe kanë mundur ta ndalojnë të pandehurin që të mos vazhdonte më tej dhunën dhe e kanë nxjerrë jashtë. Jashtë, i pandehuri ka marrë një gur dhe ka thyer xhamin e parë të makinës së të dëmtuarit. Në këto momente i dëmtuari ka njoftuar me telefon Komisariatin e Policisë Nr. 3. Në vend mbërrijnë forcat e Patrullave të Përgjithshme nr. 53/33 dhe 53/32, ku njëra bën të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të të pandehurit dhe tjetra shoqërimin e të dëmtuarit për ndihmë mjekësore në repartin e traumave të Spitalit Ushtarak në Tiranë. Nga akti i ekspertimit mjekoligjor i datës 19 shkurt 2017 rezulton se te i dëmtuari Sadri Ramçaj konstatohet një ekimozë në syrin e djathtë, e shkaktuar nga mjet i fortë mbretës, e cila ka sjellë si pasojë humbjen e aftësisë së përkohshme për punë në masën deri në 9 ditë. I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet, i pandehuri Luigi Semeraro ka shpjeguar se ka qenë i dehur dhe se nuk mban mend se çfarë veprimesh ka kryer. Nisur nga këto rrethana prokuroria ka marrë të pandehur Luigi Semeraro, i cili ka konsumuar plotësisht elementët e figurës së veprës penale të “Dhunës në familje”.

Artikulli paraprakTONIGHT – 09.05.2017
Artikulli tjetërZGJEDHJET, DY PARTI 30 KANDIDATË PËR DEPUTETË ME TË NJËJTIN MBIEMËR