Polici i doganës së Hanit të Hotit Sokol Gobeti makina e të cilit pësoi dëme pas vendosjes së një sasie tritoli të bërë me dorë ka deklaruar për kolegët e tij të policisë se nuk ka asnjë ide përse është sulmuar në mjetin e tij.

50 vjeçari ka deklaruar se ai nuk ka asnjë konflikt me askënd dhe as probleme me ndonjë individ ndaj ka mbetur i habitur nga ajo që ka ndodhur në fshatin Pjetroshan të Malësisë së Madhe. Makina ku u vendos tritoli ndodhej e parkuar afër banesës dhe brenda saj nuk ndodhej asnjë person ndaj nuk ka patur të lënduar por vetë dëme materiale. “Nuk kam asnjë ide se përse i kanë vendosur lëndë plasëse makinës time. Unë nuk kam asnjë problem me askënd. Po ashtu nuk kam asnjë lloj konflikti me persona të ndryshëm. Jam habitur se si ka ndodhur kjo ngjarje dhe përse makinës i kanë vendosur sasinë e tritolit”-është shprehur 50 vjeçari. Polici i doganës së Hanit të Hotit Sokol Gobeti i pyetur nëse kjo lidhet me punën e tij si polic në doganë, e ka mohuar edhe këtë pistë. “Nuk ka lidhje besoj me punën time të përditshme sepse nuk bëjmë gjë tjetër veçse zbatojmë ligjin”-ka thënë polici doganor. Megjithatë një prej pistave kryesore ku policia është fokuar lidhet pikërisht me punën e 50 vjeçarit Gobeti si polic doganor në Han të Hotit. Nga ana tjetër rreth dhjetë persona janë shoqëruar nga policia vendore e Shkodrës për t’u marrë në pyetje në lidhje me grabitjen e dyqanit të kompanisë celulare T-Mobile në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës me 12 mars teksa një person me kapele iu afrua dyqanit në momentin që punonjësja A.T, 20 vjeçe po mbyllte dyert. Nën kërcënimin e armës, 20 vjeçarja është mbyllur në tualet nga agresori i cili ka arritur që të marrë rreth 4-5 celularë të markave të ndryshme. Forcat e policisë menjëherë shkuan në vendngjarje dhe pak orë pas grabitjes me armë kanë bërë shoqërimin e afro 10 personave që dyshohen se mund të kenë lidhje. Këta persona janë kryesisht kontigjent krimi dhe mes tyre edhe përdorues të lëndëve narkotike. Ende policia nuk ka arritur që të identifikojë autorin e grabitjes me armë por burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se janë afër zbulimit të kësaj ngjarje.

Artikulli paraprakRRUGA E GRIZHËS E HARRUAR NGA BASHKIA M.MADHE
Artikulli tjetërLSI, INAGURON ZYRËN NË RAJONIN 5