Atleti shkodran Izmir Smajlaj është renditur në vendin e gjashtë në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Berlin të Gjermanisë. Finalja e garës të kërcimit së gjati është zhvilluar pasditen e së mërkurës dhe është shoqëruar me një rivalitet të fortë. Smajlaj ka arritur të kërcejë 7.99 m dhe me të, është renditur në vendin e gjashtë në kontinent. Atleti kuqezi realizoi 3 nga 6 provat që kishte në dispozicion, për një moment ishte edhe i katërti, por podiumi mbeti një tabu për shkodranin. Gara e Smajlajt nis me një faull, më pas kërcen 7.83 metra, 7.73 metra, faull, 7.99 metra dhe në fund mbyllet sërish me një faull. Pikërisht kërcimi i pestë ishte më i miri për shkodranin, thuajse në limitet e rekordit të tij (8.08 metra). Ndonëse nga Smajlaj pritej diçka më shumë në këtë Europian, ai nuk arriti ta kapë kufirin e 8 metrave, ndërkohë që rezultati i finales ishte më i mirë se ai i baterive eliminatore (7.71 metra), dy ditë më parë. Por ka qënë vetë atleti shkodran që në një postim në FaceBook ka shprehur pakënaqësit e tij duke akuzuar madje edhe për manipulime. Smajlaj në postimin e tij shkruan:
Te nderuar miq,
Si fillim dua tiu falenderoj per mbeshtetjen e vemendjen qe me kushtuat keto 2 dite ne garen time kualifikuese dhe finale. Por, me vjen keq qe dhe ne “Kampionatin Europian” te zhvilluar ne Berlin, te kete manipulime ne rezultat ( mund te shikoni videon per te pare te verteten e kercimit te 3-te i cili u deklarua 7,47m e me pas ma dhane 7,73m, duke mos qene te verteta asnje prej tyre ). Ky gabim teper i rende dhe teper i qarte per te gjithe, me demtoj imazhin tim si Kampion Europian i sallave te mbyllura aktual, si dhe me demtoj moralisht qe te isha ne zonen e medaljeve kete vit. Une, si atlet dhe bashke me “Federaten Shqiptare te Atletikes”, kemi denoncuar kete rast ne institucionet perkatese si ne IAAF, dhe gjate kohes po behen verifikimet e duhura. Shpresoj me te miren! Ju falenderoj e ju premtoj qe ne vazhdim do te ngjitem ne podium ne cdo kampionat per te nderuar Shqiperine dhe shqiptaret!
Kështu, pa medalje dhe me një vend të gjashtë mbyllet gara e Izmir Smajlaj në këtë Europian, një rezultat i mirë për kampionin e Europës së sallave të mbyllura një vit më parë. Ndërkohë, më 10 gusht do të garojë në bateritë eliminatore të garës së 3000 metrave me pengesa atletja Luiza Gega.