Me fillimin e ciklit të ri olimpik, federatat sportive do t’u drejtohen zgjedhjeve për të mandatuar drejtuesit për katër vjeçarin e ardhshëm. Atletika, “Mbretëresha e Sporteve”, do të mbajë Asamblenë Zgjedhore në fillim të dhjetorit. Për president të Federatës Shqiptare të Atletikës ka shpallur zyrtarisht kandidaturën edhe një prej emrave të njohur të këtij sporti në vendin tonë dhe bëhet fjalë për atletin shkodran, Izmir Smajlaj, i cili deri më tani ka patur një karrierë të jashtëzakonshme.

Smajlaj ka qenë kampion Europe në vitin 2017 në salla të mbyllura, teksa herë pas here ka thyer disa rekorde në atletikën shqiptare dhe jo vetëm. Izmir Smajlaj ka qenë ndër vite një ndër sportistët më cilësorë shqiptarë, si edhe ka qenë rregullisht anëtar i ekipit kombëtar të atletikës. Smajlaj ka qenë kampion edhe në kërcimin tre hapësh dhe prandaj, të gjithë këtë eksperiencë të tij ai synon ta sjellë në atletikën shqiptare, ku fokusi i tij do të jetë mbështetja e atletëve të rinj, por edhe zhvillimi i infrastrukturës. Presidenti i mëparshëm i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli, njëherësh edhe trajneri i Izmir Smajlajt, duket se nuk do të kandidojë më dhe si rrjedhojë, atleti shkodran ka vendosur që të japë kontributin e tij për zhvillimin e atletikës në Shqipëri.

Në fakt, Shkodra i ka të shumtë atletët cilësorë dhe një prej tyre është edhe Franko Burraj, i cili pritet të ketë vëmendje të madhe në të ardhmen në rast zgjedhje të Smajlajt si president i Federatës Shqiptare të Atletikës. Atleti shkodran, prej gjashtë vitesh, mbron ngjyrat e klubit Tirana në sportin e atletikës, aty ku ka arritur të fitojë shumë tituj. Smajlaj është kandidati i parë dhe i vetëm për momentin që ka hedhur kandidaturën e tij për president i Federatës Shqiptare të Atletikës dhe mbetet për t’u parë në vazhdim nëse do të ketë edhe emra të tjerë që do të synojnë të jetë në këtë post. Asambleja zgjedhore për zgjedhjen e presidentit të ri Federatës Shqiptare të Atletikës do të mbahet në fillim të dhjetorit.

Artikulli paraprakINTERES I LARTË PËR VAKSINAT E GRIPIT
Artikulli tjetërQKF ZHVILON GARAT E ATLETIKËS