Ministria e Mbrojtjes, përmes Emergjencave Civile u ka dërguar një letër të hapur bashkive në 6 prefektura të vendit, që janë shfaqur më shumë probleme nga moti i keq.
Konkretisht letra u është dërguar bashkive të Shkodrës, Kukësit, Pukës, Dibrës, Korçës dhe Gjirokastrës. Ne letër theksohet se moti i keq nxori sërish në pah probleme të menaxhimit të situatës nga bashkitë në zonat rurale.
“Moti i keq nxori sërish në pah probleme të menaxhimit të situatës nga bashkitë. Problem parashikimi i fondeve për masat mbrojtëse,
parandaluese, ndërhyrëse dhe rehabilituese për emergjencat civile. Dërgoni listën e plotë të kompanive të kontraktuara nga ju për mirëmbajtjen e akseve rrugore’thuhet ndër të tjera në letër.
Letra e Ministrisë së Mbrojtjes vjen pas shqetësimeve dhe problemeve të ndeshura nga banorët në disa bashki ku nuk është ndërhyrë për mirëmbajtjen e rrugëve rurale.
Nga reshjet e dëborës që ranë ditët e fundit vijojnë që të jenë të bllokuar disa akse rurale.