Paketa e ndryshimeve kushtetuese që do të votohet të enjten në Kuvendin e Shqipërisë është çështja e parë e rendit të ditës së séancës plenare të 21 korrikut.

Axhenda zyrtare e publikuar të martën nga Kuvendi parashikon një séancë me 10 pika. Ndryshimet në Kushtetutë kërkojnë një miratim me shumicë të cilësuar, 2/3 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit ose 94 vota. Sipas rregullores, për draftin kushtetues do të shprehen relatorët e komisionit për reformën në drejtësi, ndërsa më pas janë parashikuar diskutime nga deputetët dhe më pas në emër të grupeve parlamentare. Pikat e tjera të rendit të ditës së kësaj séance, e konsideruar historike, përfshijnë dhe miratimin e pr/ligjit “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Development Limited”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike”. Gjithashtu, është parashikuar miratimi i disa ndryshimeve dhe shtesave në vendimin “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimin e pozicioneve të punës të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave””, si dhe pr/vendimet për plotësimin e katër vendeve vakante në Autoritetin e Mediave Audiovizive, pr/vendimi “Për zgjedhjen e Arben Malajt anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, si dhe pr/vendimi “Për miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”.

Artikulli paraprakAMBASADA AMERIKANE PARALAJMËRON SHTETASIT E SAJ PËR DATËN 21 KORRIK
Artikulli tjetërMBLIDHET KOMISIONI I POSAÇËM PËR REFORMËN NË DREJTËSI, NUK MERR PJESË OPOZITA