Kjo është dasma e Malësisë së Madhe ashtu si në kohët e vjetra e sjellë nga nxënësit e shkollës së mesme “Dodë Kaçaj” në Bajzë. Të rinjtë u njohën me doket, zakonet, traditat dhe këngët e ritualet e dasmës malësore të gjyshërve të tyre.

Rita Kalaj, kryetare e shoqatës “Xhubleta Shqiptare” i tregoi vajzave 17 vjeçare se si vishej dhe dilte nusja në kohët e mëparshme ndërsa tregon edhe për rëndësinë e xhubletës, një pasuri kombëtare e trashëguar deri në ditët e sotme.

Dasma malësore u organizua si një projekt lëndor i shkollës së mesme “Dodë Kaçaj”. Mësuesja e letërsisë në këtë shkollë Florina Laçaj thotë se nxënësve veshjet dhe traditat edhe pse iu dukën të largëta arritën që t’i shijojnë.

Vetë mësuesja përjetoi një emocion kur për herë të parë u vesh me xhubletë.Nxënësit e shkollës interpretuan valet dhe këngët e dasmës malësore.

Në këtë projekt lëndor të dasmës malësore morën pjesë artistët Nikollë Buçi dhe Pretash Nilaj të cilët thonë se ditët e sotme traditat e hershme po humbasin gjithnjë e më shumë.
Gjergj Linati, një i moshuar tregon se si për herë të parë me bashkëshorten e tij u njoh vetëm kur ajo ishte 7 vjeçe dhe pasi familja e vajzës i dha fjalën u martua me të kur ajo mbushi 16 vite.

Dasma e Malësisë së Madhe e mbushur plot me rituale të bukura dhe që zgjaste për disa ditë me radhe në oborret e mëdha të malësisë është një vlerë e shtuar e pasurisë kombëtare.

 

Artikulli paraprakDY FAMILJE SHQIPTARE NË LIBRIN EUROPIAN TË KUJTESËS
Artikulli tjetërALIBEAJ I PËRGJIGJET BERISHËS: JA KUSH ËSHTË NË PAZARE TË DUKSHME DHE TË FSHEHTA ME EDI RAMËN