Stresi, solucionet e ndryshme të larjes, mungesa e vitaminave e shumë faktorë të tjerë, lënë pasoja tek shëndeti i flokëve. Nevoja për rimëkëmbjen e tij detyron konsumatorin të kërkojë zgjidhje nëpër trajtime të shtrenjta estetike duke anashkaluar një zgjidhje shumë të mirë që gjendet në kuzhinën e gjithsecilit prej nesh. Bëhet fjalë për vajin e ullirit, acidet yndyrore të të cilit ushqejnë jo vetëm flokun por edhe skalpin. Vaji i ullirit ka aftësi mbrojtëse për flokun, sidomos për atë që është subjekt i vazhdueshëm i tharjeve dhe stilimeve me temperaturë të lartë. Ai është shumë i pasur me antioksidantë, vitamina dhe minerale që e ushqejnë flokun. Mësoni se si të shfrytëzoni të mirat e vajit e ullirit për shëndetin e flokëve.

Vaj ulliri për flokë të dëmtuar
Dielli i fortë në verë dhe mungesa e lagështisë në dimër e thajnë jashtëzakonisht shumë flokun duke shteruar gjithë gjallërinë e tij. Për të zgjidhur këtë problem mund të përdorni vaj ulliri. Vendosni një peshqir mbi shpatulla. Kriheni flokun me delikatesë. Hidhni një lugë çaji me vaj ulliri në pëllëmbën e dorës dhe më pas me të masazhoni flokun 2 centimetra poshtë skalpit deri në të gjithë gjatësinë e tij. Për të siguruar një përthithje më të mirë përdorni një tharëse me temperaturë mesatare për disa minuta. Nëse floku është pjesërisht i tharë, vajin mund ta mbani për 45 minuta. Nëse keni kryer trajtime për ngjyrosjen e flokut, atëherë vajin mbajeni për 2 orë ose gjatë gjithë natës. Më pas mund ta lani flokun me shampo dhe ta shpërlani me ujë të bollshëm.

Vaj ulliri për skalpin e thatë
Përzieni dy lugë gjelle me lëng të freskët limoni me dy lugë gjelle me vaj ulliri dhe po aq ujë. Masën vendoseni në lëkurën e kokës dhe mbajeni deri në 30 minuta. Më pas lajeni si zakonisht. Ky trajtim duhet bërë një herë në javë.

Vaj ulliri për rritjen e flokut
Kjo maskë forcon strukturën e flokut, e mban atë të butë dhe nxjerr në pah ngjyrën e shuar të tij. Përzieni dy të verdha veze me dy lugë gjelle me vaj ulliri. Treteni atë në gjysëm gote me ujë (125 ml) të ftohtë. Mos përdorni ujë të nxehtë sepse veza do të pritet. Pasi t’i keni përzier mirë të gjithë përbërësit, masazhoni skalpin e kokës me delikatesë dhe lëreni maskën për 20 minuta.

Maskë ushqyese me avokado, vezë dhe vaj ulliri
Nëse floku juaj duket pa jetë, atëherë duhet të shfrytëzoni fuqinë e vezës dhe vajit të ullirit me kremozitetin e avokados. Merrni tulin e një gjysme avokado dhe hidheni në mikser. Përziejeni mirë deri sa masa të jetë krejtësisht e butë dhe kremoze. Shtoni një vezë dhe një lugë çaji me vaj ulliri. Përziejeni sërish dhe më pas maskën hidheni në një enë tjetër. Lajeni flokun me shampo pa sulfat e cila do të pastrojë në thellësi skalpin nga papastërtitë, vajrat, zbokthi dhe qelizat e vdekura. Vendoseni maskën në lëkurën e kokës dhe zbrisni poshtë në të gjithë gjatësinë e tij. Pasi të keni lyer të gjithë flokun mblidheni atë dhe mbajeni maskën për 5 minuta. Shpëlajeni mirë me ujë të bollshëm dhe thajeni flokun me peshqir por jo me tharëse.

Artikulli paraprakZGJEDHJET PARLAMENTARE, PRESIDENTI I MALIT TË ZI: TË MBAHEN SA MË SHPEJT!
Artikulli tjetërZËRI I AMERIKËS NXJERR SONDAZHIN: 87% E SHQIPTARËVE POHOJNË SE KORRUPSIONI ËSHTË PROBLEMI KRYESOR NË VEND