Ja si po shkatërrohen Kullat e Alpeve!

Kullat e Alpeve Shqiptare po shkojnë drejt shkatërrimit. Të braktisura prej mbi një çerek shekulli nga të zotët dhe pa vëmendjen më të vogël të institucioneve përgjegjëse, shumë prej tyre janë shembur totalisht, e shumë të tjera janë në ditët e tyre të fundit mbi tokë. Më e keqja është se bashkë me to do të zhduket edhe trashëgimia kulturore brenda saj. Janë të shumta ato me emër e me shumë rëndësi, si nga pikëpamja kulturore ashtu edhe historike, që nga Vermoshi e deri në Valbonë. Por unë po ndalem vetëm në vendlindjen time, Nikaj-Mërturi dhe po citoj disa prej tyre, që janë unike në rajon e me gjerë: Kulla e Thepit (Ngujimit), në fshatin e bukur të Curraj Eper; Kulla në Sukullar, në Qeresh; Kulla e Ukshin Brahimit, në Mulaj; Kulla mbi 300 vjeçare e Kurtesh Kurtit, në fshatin Lekbibaj; Kulla e Deli Tahirit, në Salcë; Kulla e Qëndresës, në Brisë. Të gjitha këto kulla janë të veçanta, të gjitha kanë nga një histori, të gjitha autentike në arkitekturë, secila më e vjetër se shoqja, të gjitha e qindra të tjera simotra lënë në mëshirë të fatit. Asnjë ekspeditë studimore për këto kulla, as një strategji, as një statistike dhe as edhe një projekt si nga njesitë vendore e as ato shtetërore direkt përgjegjëse për to. Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Shkodër është direkt përgjegjëse për kullat e veriut dhe sipas specialistëve të saj nuk kanë asnjë dijeni për këtë situatë, ndonëse ekspert ka në çdo zone. “Aty nuk kemi asnjë informacion, nuk njohim asnjë nga këto kullat që thoni. Kulla në Brisë ashtu siç po e përshkruani ju, patjetër që meriton statusin Monument Kulture. Madje po e mbaj shënim tani. Nuk është se ne nuk kemi propozuar monumente kulture, madje ka dhe nga ato që janë shpallur, por këto gjera bëhen më rrallë. Por kjo zonë që thoni ju ka shumë pengesa, ku më kryesorja është infrastuktura e cila mungon, fondet janë të pamjaftueshme për të mirëmbajtur ato që janë, jo më për të dërguar propozime të reja.” Me të njetën logjikë që shprehen përfaqësuesit e institucioneve sot, është refuzuar edhe shumë vite më parë, kërkesa e ish kujdestarit të Monumenteve të Kultures Tropojë, Z. Dode Progni, për ta shpallur Kullën e Thepit në Curraj Epër, Monument Kulture. Doda tregon se u refuzua me paragjykimin, se ajo i paska shërbyer zakonit të keq të gjakmarrjës, se mungonte infrastuktura e rregullt për ta vizituar kullën, dhe se mungonin fondet për të shtuar numrin e monumenteve. Sipas studiuesit në fjalë ende sot nuk ka një ekspeditë studimore për këtë kullë. E ndërsa shumë kulla nuk njihen, shumë të tjera nuk vlerësohen për vlerat kulturore kombëtare që ato kanë mbartur ndër shekuj. Më konkretisht po citoj kullën e Kurtesh Kurtit në Nikaj Mërturi, të cilën e vizitova nga afër. Kjo kullë sipas trashgimtarit të saj, plakut 87 vjeçar, Lekë Kurteshi, është mbi 300 vjeçare. Është ndërtuar për jetesë, por ndërkohë iu ka shërbyer mijëra e mijëra njerëzve, kalimtarë, shtegtarë, luftëtarë e mendimtarë. Duke u ndodhur në rrugën e Pultit të Vjetër, shtëpi e madhe dhe me emër, e për shkak të kohërave të luftrave, hasmerivë e gjakmarrjeve, konflikteve të ndryshme, mbledhjeve e kuvendeve, të gjitha sëbashku i japin kësaj kulle vlera të patjetërsueshme historike e kulturore. “Në këtë kullë kanë qëndruar Bajram Curri me çetën e tij, Komanda e Shtabit të Përgjithshëm, partizanët, italianë e gjermanë, kanë qëndruar shumë udhëtarë shqiptarë e të huaj, kanë kryer lindje shumë gra shtegtare në kalim nga zonat e tjera prej Gjakove e deri në Shkodër. Arkitektura e saj unike e bën këtë kullë si më të veçantën në zonë e shumë më larg, pasi vijnë si dy kulla binjake në një të vetme të ndërthurura, dhe lidhen me një korridor në mes.- thotë për dritare.net, trashëgimtari i saj aktual, Z.Leke Kurteshi. Ndarja e shtëpisë vinte në dy pjesë. Oda e burrave, ku mblidheshin burrat me emër të zonës, pra ku zhvilloheshin aktivitete të rëndësishme. Në fillim ka qenë dy katëshe dhe më vone si pasoje e shtimit të familjes është bërë 3 katëshe. Në mes ka patur një pjesë të ngritur por më vonë iu hoq pas një bore të madhe. Të parët e mij i kanë qëndruar traditës në arkitekturën e saj, edhe pse kushtet e ndërtimit kanë qenë shumë të vështira. Gjithçka është transportuar me shpinë. Kur ke lindur në të dhe je bërë mbi 80 vjeç, e sot e shikon në këtë gjëndje, në grahmat e fundit të shpirtit, të dhemb zemra, pasi aty ku ke lindur është vendi më i shenjtë.”- shton Kurteshi për dritare.net Kjo kullë kaq e rëndësishme po shkon drejt shkatërrimit total. Ajo u braktis kur erdhi sistemi demokratik. Njerëzit lëvizën drejt një jete më të mirë dhe ka 20 vite që askush nuk është kujdesur për të. Humbja e kësaj kulle është prekëse dhe për zonën, komunitetin e saj, pasi është një ndërtim i vjetër dhe me vlera turistike. Edhe të huajt duan të vizitojnë një kullë nga interesi i autenticitetit dhe antikës së saj. Ketu janë bashkuar njerëzit dhe janë marrë vendime të përbashkëta për fshatin gjithmonë me frymën e bashkëpunimit. Aq më tepër, rëndësi kësaj kulle i jep edhe fakti që modeli i saj i veçantë, është përdorur për projektimin e korpusit të Universitetit të Tiranës, nga arkitekti italian, Gherardo Bosio, në vitin 1939. Por gjendja e kullës së Thepit “Ngujimit” në Curraj Epër, është edhe shumë here më e rëndë, pasi nga tre kate, tashmë ka mbetur vetëm një gjysmë kati muri mbi tokë. Ajo kullë që ngrihej aq krenare mbi atë shkëmb me rrënjët në lumë, përballë ures e kishës së Currajve, e vlerësuar nga shumë studiues të huaj, e sidomos nga Edit Durham e baroni Nopçe, sot ajo pothuajse nuk është më dhe si kjo janë me dhjetra e qindra nëpër Malësi të Madhe, Dukagjin, Nikaj-Mërtur, Krasniqe, Gash e Btyq. Pa këto kulla nuk mund të ketë turizëm tradicional sepse bashkë me to po zhduket edhe historia, tradita, kultura e mikpritja.

Artikulli paraprakTRAFIKIMI PERFSHIN 20 MILIONE NJEREZ
Artikulli tjetërKONÇENSIONI I RRUGES SE KOMBIT I JEPET GRUPIT SHQIPTAR,RREZOHEN TURQIT