PRESIDENTJA E KOSOVËS NË VATIKAN, KOSOVA PËRFAQËSOHET NË SELINË E SHENJTË. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot në Selinë e Shenjtë në Vatikan në audiencë private nga Shenjtëria e Tij, Papa Francesku, në një takim historik mes tyre.
Në një takim mbi 40 minutësh, Presidentja Jahjaga i shprehu Papa Franceskut mirënjohjen për pritjen duke e vlerësuar si një gjest të besimit dhe të njohjes së përpjekjeve të Kosovës për të forcuar harmoninë ndërfetare si dhe të ambicieve për të jetuar në paqe dhe liri të një shoqërie të qytetarëve të barabartë. Presidentja Jahjaga e falenderoi Papa Franceskun për porositë e tij për shpresë dhe gjithëpërfshirje dhe e vlerësoi rolin mbështetës të Selisë së shenjtë për Kosovën në periudhat e rënda të historisë së saj. Ajo u shpreh se në rrugën e saj të vështirë, Kosova ka qenë e inspiruar nga udhëzimet e Papa Gjon Palit II dhe durimi dhe humaniteti i Nënës Tereza. Gjithashtu Presidentja tha se Kosova sot, si një shtet i ri në Evropë, ka kaluar nëpër një histori të rëndë të represionit dhe të spastrimit etnik dhe se në themelet e ndërtimit të saj ajo ka sakrificën individuale dhe kolektive. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova sot është e njohur nga 108 shtete të botës dhe tha se shpreson që edhe Selia e Shenjtë do të vendos që ta mbështes vizionin e një Kosovë të pavarur dhe demokratike. Duke folur për qëllimet strategjike të Kosovës për t’u bërë anëtare e barabartë e organizatave ndërkombëtare, para së gjithash e BE-së, OKB-së dhe NATO-s, Presidentja Jahjaga tha se Kosova synon të bëhet një vlerë e shtuar bazuar në traditën e saj të diversitetit dhe multikulturalizmit dhe të bashkëjetesës.