Presidenti i zgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, më 20 maj në mesditë, do të bëjë betimin dhe do të marrë detyrën e kreut të vendit.
Në përurim, përkatësisht, në ceremoninë e betimit, që mbahet në Parlamentin e Malit të Zi, do të marrin pjesë rreth 200 personalitete, duke përfshirë zyrtarë nga fqinjësia, ambasadorë dhe të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gabriel Escobar.
Në ceremoni do të marrin pjesë edhe deputetë të Parlamentit të Malit të Zi, përfaqësues të qeverisë, autoriteteve gjyqësore, si dhe presidenti i deritashëm i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, të cilin Millatoviç e mposhti bindshëm në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në fillim të prillit.
Pjesa qendrore e qytetit të Podgoricës është bllokuar që nga mëngjesi, si dhe rruga për në aeroport.
Pas intonimit të himnit kombëtar, si dhe betimit të Millatoviçit, ai do të mbajë fjalimin inaugurues, pas së cilit do të mbahet përshëndetje ceremoniale ushtarake në platonë para Parlamentit.
Pas kësaj, Millatoviç do t’i presë të ftuarit në një drekë, ndërkaq në orët e vona të pasdites, në Vilën shtetërore Gorica, ai me bashkëshorten do të presin rreth 700 të ftuar.
Në mesin e tyre do të jenë presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviç, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ndërkaq nga Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës të pranishëm do të jenë Zhelko Cvijanoviç dhe Zhelko Komshiç.
Ardhja e presidentit serb Aleksandar Vuçiç nuk është konfirmuar.
Nga zyrtarët evropian, të pranishëm do të jenë Oliver Ropke, president i Komitetit evropian ekonomik dhe social të Komisionit Evropian, ndërkaq nga Britania e Madhe dhe Gjermania, të dërguarit specialë për Ballkanin Perëndimor, Stuart Pich dhe Manuel Saracin.
Presidenti i malit të Zi zgjidhet çdo pesë vjet, ndërkaq të gjitha inaugurimet e mëparshme ishin bërë në Cetinë.
Jakov Millatoviç, 37-vjeçar, është presidenti i parë që nuk është nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Gjukanoviçit, e cila pati pushtetin për tri dekada, deri në gusht të vitit 2020, kur humbi zgjedhjet.
Millatoviç, një nga liderët e lëvizjes “Evropa tani”, e themeluar një vit më parë, ka qenë në politikën malazeze që prej tre vjetësh kur u emërua ministër i qeverisë së parë pas shkuarjes nga pushteti të DPS-së.
Në garën presidenciale, ai pati mbështetjen partive në pushtet, Frontit Demokratik pro-Rus, Demokratëve dhe Lëvizjes qytetare URA.
Që nga fillimi i viteve të 90-ta, Gjukanoviç ka qenë gjashtë herë kryeministër dhe dy herë president i Malit të Zi.
Pas humbjes së pushtetit në zgjedhjet parlamentare, gati tre vjet më parë, DPS-ja e tij humbi edhe zgjedhjet në Podgoricë, në muajin tetor. Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale, Gjukanoviç dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë.
Ditëve të fundit, Gjukanoviç dhe Millatoviç zhvilluan dy takime si pjesë e procedurës së dorëzimit të detyrës, pas të cilave theksuan se Mali i Zi është shembull i mirë i tranzicionit demokratik të pushtetit.
Ndryshimi i kreut të shtetit vjen para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të planifikuara për 11 qershor. Ato u shpallën për shkak të krizës institucionale që ndaloi integrimet evropiane.
Që nga ndërrimi i pushtetit, për gati tre vjet, kanë rënë dy qeveri, ndërkaq tentativa për të zgjedhur një të tretë ishte e pasuksesshme. Në atë periudhë është shënuar rritje e tensioneve etnike.
Gjatë pushtetit të Gjukanoviçit, Mali i Zi votoi për pavarësinë e vendit në referendumin e vitit 2006. Në vitin 2010, Mali i Zi u bë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërkaq më 2017 hyri në NATO./REL/