Në Hollivud përflitet çdo ditë një emër i ri, për aktorin e ri, që do të luajë rolin e James Bondit, por mediat në Britaninë e Madhe shkruajnë se Sony, shtëpia e produksionit të sagës së famshme, i ka ofruar interpretuesit aktual, Daniel Craig një kontratë faraonike prej 150 milionë dollarësh edhe për dy seri të reja.
Aktori 48-vjeçar ka luajtur deri më tani në 4 filma si agjenti 007. Pavarësisht se përfitoi rreth 65 milionë dollarë në serinë e fundit, Craig u shfaq fillimisht dyshues për një tjetër rol, madje ai deklaroi se më mirë do të priste damarët se të luante një tjetër film. Gjithsesi mungesa e një kandidati serioz për zëvendësimin e “superspiunit” britanik, rrit mundësinë e qëndrimit të anglezit. Emrat më të përfolur për zëvendësimin e Daniel Craig janë Tom Hiddleston, Aidan Turner dhe Idris Elba, ky i fundit nëse do të përzgjidhej, do të ishte i pari aktor me ngjyre që luan James Bond.