Punimet në bllokun e pallateve në Xhabije edhe pse duhet të kishin përfunduar brenda muajit mars, vijojnë me rendiment tejet të ulët.
Banorët e lagjes tregojnë se pasi firma vendosi shtresën asfaltike, pjesa më e madhe e punonjësve u larguan duke lënë punimet përgjysmë. Të vetmit që aktualisht punojnë janë pak punonjës që prej ditësh po merren me krijimin e hapësirave për kullim në dy anët e karrexhatës.
Ndërkaq, shumë rrugica të tjera që lidhin lagjen me rrugën kryesore të qytetit si dhe e gjithë pjesa e pasme e pallateve vijon të qëndrojë e papërfshirë në punime, gjë që ka irrituar banorët për vonesat e shfaqura. Tabela informuese për punimet që vijojnë, aktualisht është hequr, ndërsa afati paraprak i punimeve është shkelur me plot 2 muaj.
Shuma e akorduar në këtë projekt që mbështetet edhe nga Ministria e Zhvillimit Urban ishte mbi 38.5 milionë lekë të reja pa TVSH, ndërsa pritet që një tjetër fond të akordohet nga Bashkia Shkodër. Ndërkohë, Star Plus ka mësuar se në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak do të diskutohhet edhe çështja e bllokut të pallateve në Xhabije, pasi po shihet mundësia e një shtese fondi.
Punimet në këtë bllok pallatesh nisën gjatë muajit gusht të vitit të kaluar dhe kanë hasur një sërë peripecish. Fillimisht, projekti u bllokua për shkak të gjetjes së disa municioneve të vjetra në lagje, ndërsa më pas ishin vetë banorët të cilët kundërshtuan punimet. Aktualisht, përfundimi i punimeve është jashtë çdo afati, megjithëse duhet edhe më shumë kohë që firma të bëjë dorëzimin.