Edhe pse kanë kaluar dy javë nga nisja e vitit të ri shkollor, nxënësit nuk kanë libra.

Ministria e Arsimit premtoi në nisje të vitit shkollor se askush nuk do të përballej me këtë problem, por situata është komplet e kundërt. Procesi mësimor vazhdon edhe pse pa libra, çka ka krijuar një situatë jo fort të mirë për nxënësit. Ata, së bashku me prindërit e tyre, e kanë ngritur disa herë problemin pranë drejtorive të shkollave përkatëse, por përgjigjja që kanë marrë është se fajin e kanë shtëpitë botuese. Në disa prej shkollave, gjysma e nxënësve janë të pajisur me libra, ndërsa pjesa tjetër jo. Kjo i ka lënë prapa me mësime nxënësit, pasi në pamundësi për të gjetur tekstet shkollore, detyrohen që të mos bëjnë detyrat. Për çdo klasë nga klasa e parë deri në të nëntën mungojnë deri në 3 tekste, duke filluar që nga matematika e deri te gjuha shqipe, të cilat janë edhe lëndët kryesore. Ajo që vihet re është se ka mungesa edhe në klasën e parë dhe të gjashtë, të cilët këtë vit kanë tituj të rinj librash. 

MINISTRIA E ARSIMIT HESHT PËRBALLË KËTIJ FAKTI

Ndërkohë, Ministria e Arsimit hesht përballë këtij fakti, duke lënë të kuptohet se problemi nuk dihet se kur mund të marrë një zgjidhje. Duket se edhe java e tretë e shkollës do të nisë me mungesë të teksteve për fëmijët. Pajisja me libra është një prej elementeve kryesore në nisje të një vitit shkollor, por këtë vit ndodhi ndryshe. Shpërndarja e teksteve shkollore ka nisur që më 25 gusht dhe që në nisje të procesit nuk kanë qenë të gjitha librat. Mësuesit tregojnë se që në fillim ka pasur mungesa, të cilat u janë bërë me dije institucioneve përkatëse. Një tjetër fakt që vihet re këtë vit është se librat kanë kushtuar më shtrenjtë, mbi 10 për qind më shumë se një vit më parë. Këtë rritje të çmimit, ministria e ka justifikuar duke theksuar se është rritur cilësia dhe veç kësaj janë shtuar tituj të rinj librash.

Artikulli paraprakPLEHRAT NË LAGJEN SKËNDERBEG, SITUATË ALARMANTE
Artikulli tjetërTAKOHEN PAS 50 VITESH NË SHKOLLËN “28 NËNTORI”