Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve televizive “Golden Globe” yjet e Hollivudit shprehën mbështetjen e tyre ndaj lirisë së fjalës, duke dënuar ashpër masakrën ndaj gazetarëve të revistës satirike franceze “Charlie Hebdo”.
Pasi u ngjit në podium për të marrë çmimin e karrierës, Xhorxh Kluni, me stemën “Je Souis Charlie” vlerësoi ditën e jashtëzakonshme në Paris ku miliona vetë dhe një pjesë e mirë e liderëve botërorë marshuan krah për krah në nderim të viktimave të vrarë nga sulmet terroriste. “Ata marshuan në mbështetje të idesë se nuk duhet të ecim të frikësuar. “Je suis Charlie”, tha Kluni gjatë fjalës së tij. Pas kuintave, ylli nuk ngurroi të theksonte se vënia e drejtësisë nuk duhej shndërruar në hakmarrje.”Duhet të jemi mjaft të kujdesshëm edhe për këtë. Në disa pjesë të Europës ka një frymë të madhe kundër muslimanëve, dhe duhet të sigurohemi që mos të degjenerojë në ndonjë akt dhune të tmerrshëm si ky që përjetuam”, u shpreh Kluni, i cili shoqërohej në ceremoninë e zhvilluar në Beverli Hills edhe nga bashkëshortja Amal Alamudin. Edhe aktorja e famshme britanike, Helen Mirren, gjatë parakalimit në tapetin e kuq shfaqi stemën me sloganin më të famshëm të momentit “Je souis Charlie”, ndërsa Xhared Leto foli në frengjisht para kamerave për të shprehur mbështetjen ndaj karikaturistëve të vrarë javën e kaluar. Ceremonia e këtij viti ishte më e ngarkuar politikisht se zakonisht, me fjalime të ndryshme në mbështetje të komunitetit hispanik në SHBA dhe homoseksualëve, si dhe lirisë së fjalës dhe shprehjes artistike, të cilat u pritën me duartrokitje nga të pranishmit.