Rrjedha e ndryshimeve në drejtoritë e Shkodrës vijon që të jetë prezente.
Tashmë një tjetër dorëheqje vjen në një prej institucioneve më të rëndësishme. Drejtori i ALUIZNIT Luan Harusha ka dhënë dorëheqjen duke u larguar tashmë nga ai post për t’i lënë vendin dikujt tjetër. Ditët e fundit përflitej dorëheqja e Harushës si drejtor i ALUIZNIT dhe tashmë gjatë kësaj jave edhe është zyrtarizuar. I menjëhershëm ka qenë edhe emërimi i drejtorit të ri. Kreu i legalizimeve Artan Lame ka emëruar si drejtor të ALUIZNIT në Shkodër Tonin Markun. Me profesion avokat, Tonin Marku drejtoi më përpara spitalin rajonal të Shkodrës. Megjithatë aventura e tij si drejtor i spitalit nuk ishte edhe aq e gjatë. Pas ndryshimeve të fundit në Shkodër të diktuara edhe nga vetë kryeministri Rama por edhe nga eksponentë të tjerë të partisë socialiste, Tonin Marku rikthehet në një post të lartë drejtues në Shkodër. Luan Harusha në zgjedhjet lokale të 2015-ës ishte një prej krerëve të PS-së në Shkodër i cili drejtoi fushatën elektorale. Para pak ditësh kishte edhe një tjetër dorëheqje sepse Kujtim Prroni u dorëhoq si drejtor i hidrocentralit në Vau Dejës. Ajo që duhet thënë është se ende socialistët në Shkodër nuk po gjejnë qetësi gjatë këtyre 3 viteve të qeverisjes. Ndryshimet kanë qenë të shpeshta në drejtori duke trazuar jo pak ujërat brenda llojit. Këto dy dorëheqje priten që të mos jenë të vetmet në postet drejtuese që mban PS në Shkodër. Në ditët në vijim mund të ketë edhe dorëheqje apo largime të tjera për t’u zëvendësuar me emra që deri tani nuk kanë qenë në drejtim.