BLATTER DHE FIFA U PËRFSHINË NGA SKANDALI MË I MADH I KORRUPSIONIT NË QEVERINË E FUTBOLLIT BOTËROR. Tronditet sërish futbolli botëror. Sepp Blatter 4 ditë pas rizgjedhjes si President i FIFA-s për herë të pestë radhazi ka njoftuar dorëheqjen nga posti. Blatter dhe FIFA u përfshinë nga skandali më i madh i korrupsionit në qeverinë e futbollit botëror, por kjo gjë nuk e pengoi 79-vjeçarin për të garuar dhe fituar mandatin e pestë ditën e premte, por që e shijoi vetëm 4 ditë.
Në deklaratën që njofton dorëheqjen, Blatter thekson se” vendosa që të largohem, pasi mandati im i pestë nuk ka mbështetjen e të gjithëve. E dua FIFA-n më shumë se çdo gjë tjetër, prandaj vendosa që të rikandidoj për një mandat të pestë. Uroj që Kongresi të mblidhet sa më shpejt për të zgjedhur Presidentin e ri të FIFA-s”. Blater u rizgjodh javën e kaluar, pavarësisht se shtatë zyrtarë të lartë të FIFA-s u arrestuan dy ditë para votimit, si pjesë e një ndjekje penale të SHBA për skandalin e korrupsionit më të madh në histori. Një tjetër arsye e fortë që ka shtyrë Blatterin drejt largimit ishte edhe publikimi i një dokumenti ku shihet se ish-krahu i djathtë i Blatter, Jerome Valcke, ka autorizuar në vitin 2008 transferimin e 10 milionë dollarëve, shifër kjo, që dyshohet se është përdorur nga FIFA për të siguruar organizimin e Kupës së Botës 2010 nga Afrika e Jugut. Jerome Valcke e ka mohuar menjëherë lajmin në media duke deklaruar se nuk ka pasur influencë për të bërë një gjë të tillë, por para pak ditësh thuajse Blatter e paralajmëroi që skandali do të thellohej, pasi deklaroi se gjëra të tjera do të dalin në dritë që kanë të bëjnë më skandalin. Tashmë dyshimet për blerje të Botërorit të Rusisë dhe Katarit i shtohet edhe ai i Afrikës së Jugut. Ndërkohë që Blatter pritet që të merret në pyetje, pasi ka edhe një urdhër që të mos largohet nga Zvicra. Tashmë vendoset në dyshim edhe fakti nëse do të zhvillohet Botërori i 2018 në Rusi dhe i 2022 në Katar pasi hetimet kanë nxjerrë se ka dyshime për blerje të votave. Pak minuta pas vendimit të Blatter për t’u larguar, menjëherë kanë dalë në skenë dy kandidatë për postin e Presidentit të FIFA-s. Presidenti i UEFA-s, Platini dhe Princi Ali i Jordanisë janë deri tani dy kandidatët që do të garojë për kreun e qeverisë së futbollit botëror, por pritet që të ketë edhe persona të tjerë. Nuk përjashtohet edhe rikthimi i Luis Figos.