Zëvendës drejtori i fondit të Kombeve të Bashkuara për fëmijët (UNICEF) ka dhënë dorëheqjen pas ankesave për sjellje të papërshtatshme gjatë kohës që drejtonte shoqatën bamirësisë britanike “Save the Children”.
Të enjten, agjencia e Kombeve të Bashkuara tha se “drejtorja ekzekutive Henrietta Fore pranoi sot dorëheqjen e Justin Forsyth-it nga pozicioni i tij si zëvendës drejtor ekzekutiv i UNICEF-it.”
Justin Forsyth akuzohet për dërgimin e mesazheve të papërshtatshme dhe për komente ndaj punonjëseve gra në lidhje me paraqitjen e tyre, kur drejtonte organizatën “Save the Children” mes viteve 2011 dhe 2015.
Në një deklaratë, zoti Foresyth tha se nuk po jepte dorëheqjen “për shkak të gabimeve të bëra tek Save the Children”, por për shkak të “rrezikut të dëmtimit të UNICEF-it dhe organizatës Save the Children si dhe të kauzës së përgjithshme”.
Ai theksoi se ka kërkuar falje për gabimet e tij në të kaluarën.
“Unë kërkova falje të sinqertë në atë kohë dhe ballë për ballë. Kërkoj falje sërisht” tha ai.