Udhëheqësit botërorë që janë mbledhur për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së duhet ta trajtojnë kontrollin e armëve bërthamore si një përparësi kryesore, thotë një grup i përbërë nga më shumë se 100 figura politike, ushtarake e diplomatike. Ata kanë nxjerrë një deklaratë ku paralajmërojnë se rreziku për një aksident bërthamor, i shkaktuar nga gjykimi i gabuar i rrethanave apo nga një gabim njerëzor, nuk ka qenë kurrë më i madh që nga kriza me raketat kubane.

Muajin e kaluar mori fund zyrtarisht Traktati INF për Raketat me Mbushje Bërthamore, me Rreze të Mesme Veprimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Këtë muaj, Presidenti Putin njoftoi se Rusia do të fillonte të prodhonte raketa të reja që më parë ishin të ndaluara nga traktati INF, por nuk do t’i poziciononte ato nëse as Shtetet e Bashkuara nuk dislokonin armatime të ngjashme. Braktisja e shpejtë e traktatit ka bërë që një grup figurash evropiane e ruse të paralajmërojnë se ballafaqohemi me kërcënime të reja bërthamore.

Ata nënshkruan një letër të përbashkët ku bëjnë thirrje që kontrolli i armëve të bëhet prioritet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Ndër ata që e nënshkruan letrën është ish-sekretari britanik i mbrojtjes, Des Browne, tani kryetar i Rrjetit Evropian të Udhëheqjes, i cili koordinoi deklaratën e përbashkët.

“Në veçanti sistemi i kontrollit të armëve bërthamore, tek i cili mbështeteshim prej dekadash, po gërryhet. Gjërat po ndërlikohen edhe më tej sepse po zhvillohen teknologji të reja, të cilat të ndërthurura me armët bërthamore, po krijojnë jo vetëm kapacitete jashtë kontrollit tonë, por edhe rreziqe që nuk i kemi ndeshur kurrë më parë”.

Ndër këto armë përfshihen raketat supersonike, të cilat po zhvillohen në Rusi, në Shtetet e Bashkuara, Kinë dhe Australi. Këto raketa besohet se mund të lëvizin pa u diktuar nga sistemet ekzistente të interceptimit.

Një numër gjithnjë e më i madh vendesh po përpiqet të zhvillojë sistemin e vet të raketave. Tre dekada pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Evropa është në vijën e parë, thotë zoti Browne:

“Nga këndvështrimi evropian, dobësimi i besimit mes Perëndimit dhe Rusisë në kuptimin më të gjerë të fjalës dhe dobësimi i strukturës për kontrollin e armëve bërthamore që ka ndodhur në mënyrë sistematike gjatë dekadës së fundit, ngre shqetësime reale për ne, pasi ne jetojmë në një mjedis ku janë të magazinuara ose të dislokuara 90% e armëve bërthamore të globit. Shumë prej atyre që janë dislokuar mund të aktivizohen brenda disa minutash”.

Grupi paralajmëron se rreziku nuk i kanoset vetëm Evropës, pasi Koreja e Veriut ka shtuar stoqet e armëve bërthamore dhe tensionet janë ndezur mes Indisë dhe Pakistanit, të dyja fuqi bërthamore dhe pasi marrëveshja bërthamore me Iranin ka rrezik të zhbëhet pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara.

“Ka shenja se këto shqetësime ngrihen në bisedimet e brendshme mes udhëheqësve tanë. Problemi është se ambicjet politike dhe mungesa e iniciativës në udhëheqje nuk na lejon të realizojmë ato që arrinim nën udhëheqjet e mëparshme,” thotë zoti Browne.

Në paralajmërimin e tyre ky grup figurash u bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë të zhvillojnë sisteme të reja kontrolli në përgjigje të teknologjisë së re ushtarake. Ata theksojnë se Kina dhe vende të tjera duhet të angazohen për të nxitur stabilitetin strategjik. Në mjedisin aktual gjeopolitik, arritja e një marrëveshjeje në kuadër të diskutimeve në OKB nuk do të jetë e lehtë.

Artikulli paraprakRAPORTI/ 272 MILIONË EMIGRANTË NË TË GJITHË BOTËN
Artikulli tjetërSHQIPËRIA MERR DREJTIMIN E SEDM/ XHAÇKA: DYER TË HAPURA PËR NJË RAJON MË TË SIGURTË