Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar këtë të mërkurë se Shtetet e Bashkuara njohin zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Në njoftimin e tij, Trump e ka cilësuar këtë lëvizje si “një hap që duhej marrë prej kohësh” për të avancuar procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin zgjidhjen me dy shtete, nëse ajo aprovohet nga Izraeli dhe Palestina. “Gjykova se ky vendim është në interesat më të mira të SHBA dhe pozitiv për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë të konfliktit izraelito-palestinez”, ka thënë Trump. Presidenti ka nënvizuar se ka nisur direktivat drejt Departamentit të Shtetit për të organizuar zhvendosjen e Ambasadës Amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem.
Qyteti në fjalë përmban sitet e shenjta të tre besimeve më të mëdha të fesë monoteiste. Jeruzalemi lindor, që përfshin Qytetin e Vjetër, u aneksua nga Izraeli pas Luftës 6-Ditore të vitit 1967, por nuk është njohur zyrtarisht si kryeqyteti i tij. Vendimi i Uashingtonit vjen pavarësisht kundërshtimeve të aleatëve të SHBA, Gjermanisë dhe Francës, si edhe botës myslimane. Në prag të vendimit, një zëdhënës i presidentit Mahmoud Abbas kishte paralajmëruar se, njohja do të sillte pasoja të rrezikshme për rajonin e Lindjes së Mesme. Por zhvendosja e ambasadës përmbush një nga premtimet kryesore që Trump bëri gjatë fushatës elektorale.