Prej 30 vitesh artistja shkodrane Juli Ndoci, bashkë me motrën e saj Ritën jeton në Gjermani ndërsa u rikthyen në Shkodër duke marrë pjesë në festivalin “Luleborë” duke marrë edhe çmimin e tretë. Juli Ndoci rrëfen kohën kur ishte ende në Shqipëri dhe vështirësitë që u përball. Ishte viti 1989 kur Juli Ndoci bashkë me vëllain e saj Frederikun dhe Manjola Nallbanin fituan në festivalin e RTSH-së por më përpara organizatorët kërkuan ta hiqnin këngën e tyre.
Në fakt një vit më vonë, në 1990-ën kënga e Juli Ndocit, vëllait të saj Frederikut dhe Morena Rekës e Dashnor Dikos me titull “Hapni Dritaret”, dedikuar pikërisht demostratave të Lëvizjes Studentore kundër diktaturës nuk u transmetua në RTSH, nuk u lejua as të konkurojë por vetëm u këndua natën e fundit si këngë përshëndetëse.
Juli Ndoci kërkoi të niste pas gjimnazit tek Akademia e Arteve në Tiranë por nuk iu dha kjo e drejtë. Këto indinjata bashkë me pengesat në festivale bënë që edhe pse në moshë të re Juli Ndoci të emigronte drejt Gjermanisë.
Pasi shkoi në Gjermani, artistja shkodrane nisi punën si kameriere ndërsa rrëfen momentin e veçantë kur ajo spikati duke kënduar rastësisht mes klientëve, moment i cili e riktheu në botën e artit. Pas shumë vitesh me këngën nga 2011 Juli Ndoci është bërë pjesë edhe e teatrit në Gjermani.
Një keqardhje Juli Ndoci ndjen për faktin se edhe sot pas 30 vitesh shqiptarët po emigrojnë masivisht drejt Europës.
Juli Ndoci bashkë me motrën e saj Ritën dhe vëllain Frederikun, bënë revolucion në artin shqiptar në fund vitet ’80 derisa emigruan duke i munguar qytetit të Shkodrës dhe skenës shqiptare.