Popullsia e vendit po pakësohet nga viti në vit, por ritmet e rënies për burrat janë të më të larta se gratë. Gjatë këtij viti, numri i grave në Shqipëri është ulur me një normë prej 0,4 % ndërsa popullsia e burrave ka rënë me 0,7 %, raportoi INSTAT. Në vitin 2020, gratë përbëjnë 50,2 % të popullsisë gjithsej, mosha mediane e tyre arriti në 38, 6 vite.

Migracioni neto i grave shënon vlerën -7.069 gra të emigruara më shumë sesa të kthyera në 2020. Migracioni neto i burrave është gjithashtu negativ, -9.615 burra të emigruar më shumë sesa të kthyer.

Raporti gjinor sipas grupmoshave tregon se ka një mbizotërim të gjinisë mashkullore deri në grupmoshën 35-39 vjeç.

Mosha mediane për burrat, në vitin 2020 është 36,8 vjeç ndërsa për gratë është 38,6 vite. Sipas INSTAT, mosha mediane më e lartë tek gratë shpjegohet me jetëgjatësinë më të lartë të tyre. Në vitin 2020, jetëgjatësia në lindje është llogaritur të jetë 75,2 vite për burrat dhe 79,6 vite për gratë. Kjo do të thotë se gratë jetojnë 4,4 vite më shumë se burrat.

Numri i lindjeve të vitit 2020 është 28.075 lindje. Raporti gjinor në lindje është 107, që tregon se për çdo 100 vajza të lindura, lindin 107 djem. Ky raport është më i lartë se raporti natyral, i cili është 105. Në vlera absolute, rënia e numrit të lindjeve krahasuar me vitin 2020 është 486 lindje. Për lindjet djem kemi një rënie prej 2,7 %, ndërsa për lindjet vajza rënia është 0,6 %.

Indeksi sintetik i fekonditetit (ISF), i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese shënon 1,34 fëmijë për vitin 2020.

Kjo do të thotë se në 100 gra pritet të lindin 134 fëmijë, nëse normat e lindshmërisë sipas grupmoshave janë ato të vitit referues 2020. Ky indeks është nën normën e zëvendësimit prej 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten.

Lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20-24 dhe 25- 29, ndërsa për grupmoshat më të vjetra ka pësuar rritje të lehtë.

Në vitin 2020, mosha mesatare në lindje ishte 29,0 vjeç, nga 28.9 vjec që ishte më 2019. Koeficientët specifikë të lindshmërisë sipas gjinisë për 2020, tregojnë dhe mbështesin faktin se burrat e fillojnë aktivitetin e të paturit fëmijë relativisht më vonë se gratë, afërsisht një 5 vjeçar më vonë, ndërkohë që normat e lindshmërisë pas të 30-ave i kanë më të larta se gratë.

Gratë në Shqipëri janë rreth 35 për qind larg zëvendësimit të vetvetes. Ky tregues ndikohet direkt nga sjellja riprodhuese e grave

Lindshmëria në adoleshencë është zvogëluar në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2020, ka 13,3 lindje për çdo 1.000 vajza të grupmoshës 15-19 vjeç nga 14,2 lindje që ishin në 2019.

Përqindjet janë të vogla deri në moshën 18 vjeç ku 1,1 % e vajzave kanë patur lindje. Ky trend vjen në rritje duke arritur 2,3 % në moshën 19 vjeç./Monitor

Gra 1

Gra 2

Artikulli paraprakPAMJE MBRESËLËNËSE / PERËNDIA ROMAKE E UJIT SHFAQET MES DALLGËVE TË STUHISË NË BRITANINË E MADHE
Artikulli tjetërRRITJE E RASTEVE NGA VARIANTI DELTA, KËRKOHET RIKTHIMI I ORËS POLICORE NË SPANJË