Vllaznia ka bërë vetëm një ditë pushim pa fazës përgatitore në Ohër dhe menjëherë ekipi ka rinisur seancat stërvitore në fushën sportive të Golemit. Trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz shprehet se situata tek Vllaznia për momentin është e mire.

“Për mua është mirë. Këto ditë në Ohër që kemi qenë kanë rezultuar shumë të rëndësishme për Vllazninë. Kemi luajtur tri ndeshje miqësore dhe kemi parë të gjithë lojtarët dhe situatën e tyre.

Kanë ardhur tre lojtarë të rinj. Adili dhe Hristov 80% janë gati ndërsa Sidorenko vazhdon stërvitjen dhe pas 15 ditësh do të jetë gati edhe ai. Lojtarët e tjerë të Vllaznisë janë shumë mirë dhe po mbështesin lojtarët e rinj në mënyrë që të punojmë gjithë bashkë sepse ndeshja me Flamurtarin është shumë e rëndësishme”.

Pavarësisht tre lojtarëve të ardhur tek kuqeblutë, trajneri Jonuz pret të paktën edhe dy futbollistë të tjerë në këtë merkato, një mesfushorë dhe një sulmues tjetër.

“Situata në klub me lojtarët e rinj ndryshon ndërsa janë larguar ata që nuk kanë bindur dhe kam folur me drejtorin dhe administratorin për të sjellë edhe dy lojtarë që na duhen por siç e dimë merkato përfundon në fund të janarit.

Pas ndeshjes me Flamurtarin mbyllet xhiroja e dytë dhe do shohin situatën në renditje por na duhet një përgatitje e mirë dhe një kujdes i madh për takimin me Flamurtarin. Ne luajmë tri ndeshje bashkë me Kupën brenda në shtëpi dhe tre fitore do të ishin shumë mirë për Vllazninë”.

Trajneri i Vllaznisë nuk ka asnjë interes se çfarë ndodh me Flamurtarin dhe Luftëtarin dhe kërkon që të fitojë çdo ndeshje në fushën e lojës sepse kampionati bëhet më i vështirë.

“Po, vetëm Flamurtari dhe Luftëtari që nuk e di se si është çështja që kanë me FIFA-n por ne na duhet që të përgatitemi sepse çdo ndeshje është e fortë dhe ne nuk na intereson situata e të tjerëve, na duhen fitoret në fushë dhe të sigurojmë tri pikët dhe të vazhdojmë punën. Tani besoj se Vllaznia është një skuadër më e mirë se para 6 muajsh dhe është një shans i mirë për të shkuar në Europë”.

Vllaznia do të kërkojë në këtë pjesë të mbetur të sezonit një renditje sa më të mirë në kampionat ndërsa një shans për të shkuar në Europë e kanë nëse fitojnë Kupën e Shqipërisë ku kuqeblutë janë ende në lojë edhe pse është një mision i vështirë.

Artikulli paraprakSHKODËR, “NIPËR DHE GJYSHËR NË MUZE”
Artikulli tjetërPAGAT E PADHËNA, MALOTA: MUND TË LARGOHEM NGA VLLAZNIA