Jordani, vritet shkrimtari që publikoi karikaturën kundër ISIS. Arrestohet agresori.
Publikimi i një karikature kundër ISIS i ka kushtuar jetën një shkrimtari në Jordani. Ndërkohë, autori i vrasjes është arrestuar menjëherë. Një shkrimtar kontrovers nga Jordania, Nahid Hatar, është vrarë me armë zjarri afër një gjykate në Aman, ku duhej të paraqitej për shkak të një karikature blasfemike për fenë Islame. Lajmi konfirmohet nga mediat ndërkombëtare që citojnë autoritetet vendase. Vrasësi është arrestuar menjëherë. Hatar ishte ndaluar muajin e kaluar, me akuzën se ka shpërndarë në rrjetin social Facebook një karikaturë të konsideruar fyese për muslimanët. Pasi është marrë në pyetje, shkrimtari ishte lënë në burg nën akuzën e “racizmit dhe sektarizmit”, sipas agjensisë shtetërore të lajmeve në Jordani. Kryeministri, Abdulla Abul Ghanam, e kishte inkriminuar atë për fyerje ndaj fesë pasi është e ndaluar të publikohen materiale, imazhe apo vizatime me qëllimin e prekjen e ndjenjave fetare dhe të besimit. Hatar, i cili mbështet presidentin Sirian Bashar Al Assad, kishte publikuar një karikaturë të titulluar “Zoti i ISIS”. Në të shikohet një luftëtar I Shtetit Islamik në një krevat me dy femra, i cili kërkon Zotit që t’i shërbejë për të pirë. Hatar, duke parë reagimet e shumta kishte shpjeguar se nuk dëshironte që të fyente myslimanët, por thjeshtë të tregonte se si Shteti Islamik e shikonte Zotin dhe Parajsën.