Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pritet që javën e ardhshme ta dorëzojë raportin për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave ndaj saj. Një veprim të tillë e paralajmëroi edhe ambasadori gjerman në Kosovës, Jorn Rohde, i cili tha se shumë shpejt priten vendime për zhbllokim të situatës. Heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, ishte tema kyçe në takimin e deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. Pas takimit, Rohde deklaroi se në një periudhë afatshkurtër priten vendime për heqjen e masave.
“Ne patëm një diskutim të mirë dhe miqësor për çështjet aktuale, si për Këshillin e Evropës, heqjen e masave, si dhe unë theksova qëndrimin e Gjermanisë si një aleat i afërt i Kosovës në Bashkim Evropian, dhe ne do të marrim shumë shpejt vendime që do ta zhbllokojnë situatën”, tha Rohde.
Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se Bashkimi Evropian duhet t’i largojë masat, sidomos pas zbatimit në plotni të marrëveshjes së Bratislavës.
“Është e padrejtë edhe fakti që një vendim i tillë para një viti nuk ka pasur nevojë të votohet fare, ndërsa tani kur po flasim një vit pas dhe kur po kërkojmë që këto masa të hiqen po na thuhet që ka nevojë të plotë të votave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të marrë një vendim të tillë. Megjithatë ne po presim dhe po besojmë që shtetet aleate siç është edhe Gjermania do ta bëjnë punë e tyre dhe përpjekjet e tyre që t’i bindin shtete e tjera”, tha Kryeziu-Hyseni.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, pritet që javën e ardhshme të dorëzojë raportin për hapat që ka bërë Kosova.