Jozefina Topalli,familja ime prej dy muajsh nën vëzhgim
Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka rrëfyer për herë të parë se prej dy muajsh, shtëpia e saj është vënë nën mbikqyrje dhe se çdo lëvizje e familjes së saj monitorohet. Duke folur për Abcnews, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk ka dhënë shumë detaje në lidhje me deklaratën e saj të fortë, por tha se “dikush ka vënë një njeri për të parë lëvizjet e saj dhe të familjarëve”. Topalli është shprehur se një sjellje e tillë mjerane nuk i është bërë familjes së saj as në diktaturën hoxhiste. “Ka dy muaj që shtëpia ime ruhet nga njerëz që kush hyn dhe kush del të pijë kafe. Kjo është sjellja më mjerane. Gjëja e vetme që më kujton, është Edi Ramën që sulmon Islamin. Unë ndoshta kam lindur e deklasume. Kjo s’ka ndodh as në komunizëm”, tha Topalli. Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka rrëfyer edhe për sherrin me Bashën. Ajo tha se gjithçka nisi në shkurt të vitit 2014 kur Basha bëri një urdhër që në zgjedhjet lokale të mos kandidonin kryetarë seksionesh që kishin humbur në zgjedhjet e 2013, deputetë apo edhe kryetarë seksionesh. “Ky urdhër ishte i paprecedentë dhe unë i kam shkuar në zyrë dhe jam përplasur me të. Ai më dha të drejtë por urdhri qëndroi në fuqi dhe atë e shkeli vetë Basha, që është humbës në zgjedhje dhe rikandidon brenda partisë. Sipas standardeve të Berishës atij nuk do t’i shkonte ndërmend që të rikandidonte”, tha Topalli.