Ministria e Brendshme ka njoftuar ditën e sotme të gjithë qytetarët, të cilët duan të aplikojnë për kartat e identitetit, se zyrat e aplikimit do të jenë të hapura edhe këtë të shtunë.
Sipas Ministrisë, riaplikimi për ID apo pasaportë mund të bëhet në çdo zyrë, pavarësisht vendbanimit.
“Ministria e Brendshme njofton qytetarët se të gjitha zyrat e aplikimit për ID karta dhe pasaporta biometrike do të jenë të hapura edhe sot, datë 27 shkurt 2021.
MB dhe DPGJC fton qytetarët që u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së kartave të identitetit, të kryejnë sa më parë procedurat për rinovimin e saj. Përmes ID kartës përfitohen shërbime online dhe fizike, por edhe mundësinë për të votuar në zgjedhjet e 25 Prillit.
Rikujtojmë se riaplikimi për ID kartë mund të bëhet në çdo zyrë, pavarësisht vendbanimit. E gjithë procedura merr pak minuta. Mjafton kuponi i blerë në Postë dhe të paraqitja në zyrën e aplikimit me ID kartën e skaduar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.