Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, është përfshirë në një debat të ashpër me Presidentin e Komisionit, Zhan Klod Junker, pasi ky i fundit kritikoi pjesëmarrjen e ulët të eurodeputetëve në seancën ku u bë bilanci i punëve të presidencës gjashtë-mujore të Maltës.
Junker i quajti parlamentarët qesharakë, duke nënvizuar se nëse në sallë do të ishte prezente zonja Merkel apo zoti Macron, atëherë deputetët do të vinin të gjithë. Megjithatë, Tajani kërkoi disa herë që ky qëndrim të evitohej nga Presidenti i Komisionit. Pjesëmarrja e ulët e eurodeputetëve në seancën që u mblodh për të dhënë konkluzionet mbi Presidencën 6-mujore të Maltës është bërë objekti i debatit mes Presidentit të Komisionit Europian, Zhan Klod Junker dhe atij të Parlamentit, Antonio Tajani. Gjithçka nisi kur Junker filloi të përdorte nota ironike për mungesën e theksuar të përfaqësuesve, e cila mund të dallohej edhe me sy të lirë.
Junker: “Unë dua të mirëpres të gjithë ata deputetë që kanë vendosur të kalojnë përmes vështirësisë së paraqitjes në këtë seancë parlamentare. Megjithatë, fakti se ka afro 30 deputetë në seancë, tregon se Parlamenti nuk është treguar serioz. Nëse Presidenca nuk do t’i takonte z. Muscat, por z. Macron ose znj. Merkel jam i sigurt se Parlamenti do të ishte i mbushur plot.” Por, e menjëhershme ishte ndërhyrja e Presidentit të Parlamentit, Antonio Tajani.
Tajani: “Z. President, do t’ju lutesha të kishit një qëndrim më të respektuar ndaj nesh. Ju mund të kritikoni Parlamentin, por Komisioni nuk e kontrollon Parlamentin, është Parlamenti ai që kontrollon Komisionin.” Duke mos e mirëpritur këtë deklaratë, Junker i quajti eurodeputetët qesharakë, gjë që pasoi sërish me një replikë të ashpër të Tajanit.
Tajani: “Z. President, ju lutem ndryshoni qëndrimin tuaj. Ne nuk jemi qesharakë. Ju lutem, ju lutem.”
Junker: “Atëherë, mund t’ju them se unë asnjëherë tjetër, nuk do të marr pjesë në një takim si ky i sotmi. Komisioni është nën kontrolin e Parlamentit, por Parlamenti duhet të respektojë edhe Presidencat e vendeve më të vogla, gjë që nuk po e bën.” Gjatë seancës, pavarësisht prezencës së ulët, kryeministri i Maltës, Joseph Muscat, bëri pasqyrimin e punës gjashtë mujore në krye të Presidencës së Bashkimit Europian.